Shendet

Alkooli rrit vdekjet nga mëlçia

Rregullat dhe ligjet që lejojnë konsumin e alkoolit në Shtetet e Bashkuara janë më të ashpra se ato në pjesën më të madhe të vendeve europiane, por sërish, sipas një studimi disavjeçar vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet e mëlçisë si pasojë e pijes janë rritur me 65 për qind..

Studimi i publikuar në “British Medical Journal” ka analizuar të dhënat e grumbulluara nga viti 1999 deri në vitin 2016.

Në dekadën e fundit, vijon studimi, rritjen më të madhe me një mesatare vjetore prej 10.5 për qind e ka grupmosha nga 25 deri në 34 për qind.

“Gjeneratat e reja të amerikanëve po preken nga abuzimi me alkoolin dhe komplikacionet që pasojnë këtë abuzim në shëndet”, thotë Elliot Tapper, mjek dhe profesor në Universitetin e Miçiganit.

Tapper thotë se më të rrezikuar nga sëmundjet vdekjeprurëse të mëlçisë janë ata persona që konsumojnë çdo natë 4-5 gota me pije alkoolike, ndërsa gratë janë më pak tolerante ndaj alkoolit dhe mëlçitë e tyre dëmtohen më lehtë.

Roli i mëlçisë në organizëm është pastrimi i gjakut. Sa më shumë toksina, sheqerna dhe yndyrna të fusim në trup, aq më e vështirë është për këtë organ kryerja e këtij misioni. Por, ndryshe nga organet e tjera, mëlçia vetëshërohet.

"Nëse njerëzit me probleme me alkoolin heqin dorë prej tij, mundësitë që ky organ të vetëshërohet plotësisht janë të larta. Shumë organe të tjera kanë aftësinë që të vetëshërohen deri në një farë niveli, por askush si mëlçia”, deklaron Tapper.

Në studimin në fjalë u analizuan të dhënat e përfituara nga grupe të ndryshme demografike të ndara sipas kritereve të moshës, racës, vendndodhjes dhe gjinisë duke analizuar certifikatat e vdekjeve.

Studiuesit thonë se nga vitit 1999 deri në vitin 2008 në disa kategoria grafiku ishte konstant. Në 2009 shifrat u rritën në mënyrë alarmante dhe për këtë fajësohet kriza ekonomike që shpërtheu një vit më parë në SHBA. Studime të shumta sociologësh kanë dalë gjithnjë me përfundimin që humbja e një vendi pune rrit konsumin e alkoolit, sidomos tek meshkujt.

Pikërisht burrat janë më të rrezikuarit nga këto sëmundje dhe fakti që mëlçia nuk shfaq simptoma paralajmëruese nuk ndihmon në këtë pjesë.

“Për shumë persona mbërrin si një surprizë e keqe. Simptomat e para shfaqen kur mëlçia është dëmtuar shumë dhe është në gjendje të rënduar”, deklaron Jessica Mellinger, lektore në Universitetin e Miçiganit.

Burimi: The Washington Post


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë