Lojëra me Dore

Alkaraz tërhiqet për dëmtim nga turneu i Rios, Siner i afrohet numrit 2 në botë

Gazaeta Si – Karlos Alkaraz, numri 2 në botë, është tërhequr nga turneu Atp 500 i Rio de Zhaneiros, pasi pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes së turit të parë ndaj brazilianit Tiago Monteiro (numri 117). Tenisti spanjoll dëmtoi kaviljen dhe e kishte të pamundur të vazhdonte.

Favorit në tabelën më të rëndësishme të Amerikës së Jugut, tenisti 20-vjeçar ndërpreu ndeshjen pas dy gejmesh, pasi shfaqi vështirësi të mëdha.

“Nuk di të them se cila është shkalla e dëmtimit, do të bëj testet dhe të shohim, nëse është diçka serioze apo jo. Sipas fizioterapistit, nuk duhet të jetë dëmtim serioz. Ndjeja dhimbje dhe nuk po mundesha të lëvizja mirë”, - tha pas ndeshjes Alkaraz. Pas kësaj tërheqjeje dhe 300 pikëve të humbura, ai ka një avantazh prej 535 pikësh ndaj Janik Siner, fituesit të Australian Open.

Spanjolli ka disa javë kohë për t’u rikuperuar, më 6 mars fillon Indian Uells, turneu i parë Masters-1000 i sezonit, ku Alkaraz duhet të mbrojë titullin (1000 pikët). Nëse ia del, në tabelë do të gjejë edhe Siner, që tani synon të kapë numrin 2.

Prej së hënës së ardhshme Alkaraz do të ketë 8805 pikë, kurse Siner 8270. Për të marrë vendin e dytë në renditjen botërore, tenisti italian duhet të arrijë një rezultat më të mirë se rivali i tij në Indian Uells.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë