Lojëra me Dore

Alkaraz mungon në lamtumirën e Federer, fansat nxehen me numrin 1

Gazeta Si – Njoftimi për mungesën e numrit 1 në botë, Karlos Alkaraz, në kompeticionin ku Roxher Federer do t’i japë lamtumirën tenisit, ka krijuar mjaft polemika.

Karlos Alkaraz refuzoi të marrë pjesë në ‘Laver Cup’, që nis sot në Londër. Ai nuk do të jetë kështu i pranishëm në lamtumirën e atij që e ka konsideruar gjithmonë një shembull, një idhull: Roxher Federerit. Kaq ka mjaftuar për të ndezur debatin në rrjetet sociale, me tifozët në nxehur me numrin e freskët 1 në botë.

Ata kanë reaguar për faktin se Alkaraz ka snobuar Federerin me mungesën e tij. Situatë e papranueshme për fansat, duke ditur që spanjolli është një nga ata që kanë folur me dhimbje për tërheqjen e zviceranit. Po si qëndron e vërteta?

Karlos Alkaraz feston me trofeun e kampionit të Nju Jorkut. Gazeta Si, 23 shtator 2022

Në një event të sponsorëve, 19-vjeçari ka treguar arsyen pse ai dhe skuadra e tij nuk mund të luajnë në krah të Federer. ”Kemi folur shumë, por për arsye sportive nuk marrim pjesë. Kam bërë shumë ndeshje këtë vit dhe duhej të pushoja pak.

Të luaja në ‘Laver Cup’, që është një kompeticion i bukur, do të ishte emocionuese, por vendosëm që ishte më mirë të mendonim për të ardhmen”, - ka thënë Alkaraz për mediet.

Ka pasur bisedime në fakt mes Toni Godsik, Ceo i ‘Laver Cup’ dhe menaxher i Roxher Federer, dhe skuadrës së Alkaraz, në maj të këtij viti. Nuk u gjet një akord, pavarësisht këmbënguljes së kapitenit të skuadrës europiane, Borg.

Alkaraz dhe stafi i tij me siguri nuk e dinin se ky edicion i ‘Laver Cup’ do të ishte i fundit për Federer, që vendimin e tërheqjes e mori në korrik. Nga e tij, Federer ka shuar polemikat, duke i bërë elozhe fenomenit të ri.

“Më vjen edhe mua keq që nuk do të ndeshem me numrin 1 të ri në botë. E pashë atë që bëri në ‘Us Open’, ishte fantastik. Kam thënë gjithmonë se do ketë yje të rinj në tenis dhe ai është një nga ata”, - u shpreh zvicerani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë