Shendet

Alimehmeti: Testim masiv me testet e antigenit sa më parë, shembull Sllovakia

Sipas ekspertit të shëndetit publik, Ilir Alimehmeti nuk nevojitet vetëm prezenca e testeve të shpejta, por edhe përdorimi me intensitet në kohën e duhur. Alimehmeti shpjegon se efektiviteti i këtyre testimeve varet nga skema intensive që do të përdoret.
Në një status në rrjetin social “Facebook”, eksperti merr si shembull eksperimentin kombëtar që realizoi Sllovakia. Nga të dhënat ai përshkruan se në këtë vend janë përdorur në total, 5.811.132 teste, 5.276.832 teste të shpejta në popullatë në tri faza dhe 534.300 teste të shpejta në personeli mjekësor, ushtarak dhe qeveritar.
“Ulje 56% e prevalencës në katër zonat e fazës pilot. Ulje 60% e prevalencës pas javës së parë. Ulje 82% e prevalencës pas javës së dytë. Jo vetëm kaq! Pak javë pas testimit masiv, numri i shtretërve të intensivit filloi të bjerë, ndërkohë që deri në atë moment ishte në rritje eksponenciale. Testimi masiv rezultoi ta ulte kurbën epidemiologjike shumë më shumë se sa lockdown i të gjithë shtetit pa testime. Nuk donte shumë mend të imagjinohej që në fillim, por këto të dhëna shuajnë çdo polemikë. Vetë autoritetet shëndetësore sllovake pranojnë që kjo ulje nuk ishte rrjedhojë e masave, por pikërisht e testimit masiv të ndjekur nga karantinimi i të gjithë personave që rezultuan pozitivë,” ka shkruar më tej Alimehmeti në analizën e tij.
Ai thotë se çmimi një testi të shpejtë është deri në 3.5 euro dhe në raport me popullsinë tonë do të duhen deri në 10 milion euro për testimin e të gjithë popullatës.
Më tej Alimehmeti shpjegon se efekti i testimit masiv duket që është i lartë dhe se në vendin tonë justifikohet kjo qasje për shkak se jemi në gjendjen e transmetimit komunitar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë