Politike

Kurti fton LDK në koalicion dhe flet si Kryeministër: Erdhi dita!

Albin Kurti shpalli fitoren e Vetëvendosjes rreth mesnatës dhe ftoi Lidhjen Demokratike për të drejtuar bashkërisht Kosovën me Qeverinë e re. Kreu i VV-së foli si Kryeministër i ri i vendit.

“Qeveria e re duhet të kompensojë kohën e humbur. Nesër (të hënën) nisim përgatitjet për formimin e qeverisë. Falenderoj qytetarët që ushtruan të drejtën e tyre për votë të lirë. Do të vendos kontakte me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Marr përgjegjësinë për të udhëhequr këtë dialog. Me LDK kemi patur bashkërendim të mirë opozitar dhe i shtrij dorën e bashkëpunimit”, tha ai.

Kurti premtoi më pak pushtet dhe më shumë shtet për qytetarët.

“Ju votuat masivisht duke bërë që opozita e deridjeshme të korrë fitore bindëse. Ndryshimi ndodhi. Dhe, jo vetëm kaq. Populli vendosi që këtij ndryshimi i prin dhe do t’i prijë Lëvizja VETËVENDOSJE! Të gjithë ju që keni votuar dje u jam falenderues që keni kryer detyrën qytetare e obligimin demokratik në një kohë të vështirë siç është kjo që po kalojmë dhe në një vend të dashur siç është Kosova jonë. Tash, ne duhet të punojmë. Ama sërish bashkë me qytetarët. Kurrë anash apo prapa qytetarëve. Bashkë, gjithnjë. Punët e vështira që na presin vetëm sa ma shtojnë vullnetin. Ato nuk kanë llogari me neve, me juve, me mua”, shton kreu i Vetëvendosjes.

Rezultati zyrtar nuk është shpallur ende, por në orët e para të mëngjesit, kur ishin numëruar thuajse të gjitha votat e hedhura në kuti ditën e dielë, Lëvizja Vetëvendosje kryesonte me një diferencë të ngushtë votash ndaj LDK-së, por të mjaftueshme për t’i dhënë të drejtën për të formuar Qeverinë e re.

Nga LDK u treguan të kujdesshëm. Vjosa Osmani tha se janë ende në pritje të rezultatit përfundimtar, ndërkohë që nga PDK, Kadri Veseli pranoi humbjen dhe la të kuptohej se pas vitesh të tëra në pushtet, kishte ardhur koha që kjo forcë politike të kalojë në opozitë. PDK ka qenë pjesë thelbësore e qeverive të Kosovës në 12 vitet e fundit dhe në dy mandate ka patur edhe postin e Kryeministrit me Hashim Thaçin.

Edhe Ramush Haradinaj e pranoi humbjen. Ai vlerësoi rritjen e forcës së tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe tha se rezultati legjitimoi vendimin e tij për t’u dorëhequr, nisur nga fakti që koalicioni PDK, AAK, Nisma dhe AKR e Behgjet Pacollit nga votat totale të grumbulluara ditën e diel nuk përbëjnë dot shumicën.

Tashmë, sfidë do të jetë formimi i qeverisë së re të vendit. Bisedimet mes Vetëvendosjes dhe LDK-së parashikohen të jenë të vështira dhe ato bëhen akoma më komplekse nisur nga rezultati i ngushtë mes këtyre dy forcave, duke mos përjashtuar mundësinë që LDK të këmbëngulë tek kandidatura e Vjosa Osmanit si Kryeministre e vendit.

Vështirësitë do të shtohen nëse Lista Serbe arrin që të sigurojë 10 nga 20 mandatet e deputetëve që sipas Kushtetutës së Kosovës u takojnë minoriteteve. Nëse kjo Listë siguron këto mandate, atëherë, po sipas Kushtetutës në kabinetin e ri një post ministror duhet t’u kalojë serbëve.

Rezultati

Nga rezultatet paraprake, Vetëvendosje është renditur forcë e parë në 12 komuna të Kosovës, duke siguruar në total rreth 198 mijë vota, ose 26 për qind të tyre. LDK renditet forcë e dytë me rreth 193 mijë vota, ose 25 për qind të preferencave.

Më pas vijnë me rahdë, PDK me 22 për qind, koalicioni AAK-PSD me 12 për qind, koalicionit Nisma-AKR me 5 për qind dhe lista serbe me 6 për qind.

I gjithë procesi zgjedhor, që nga shpërndarja e materialeve, votimi dhe më pas numërimi u shoqërua pa asnjë incident domethënës. Misioni vëzhgues i Bashkimit Europian konfirmoi këtë duke deklaruar se në 98 për qind të qëndrave që ka vëzhguar nuk ka vërejtur asnjë parregullsi, ndërsa në pjesën tjetër parregullsitë ishin minimale, që në vlerësimin e vëzhguesve nuk cenojnë rezultatin.

Sipas shifrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja ishte pak më e lartë në krahasim me zgjedhjet e 2017. Rreth 800 mijë nga 1.9 milionë votues ushtruan të drejtën e tyre, ose rreth 43 për qind.

Qendrat e votimit ishin të hapura edhe në veri të Kosovës, ku procesi në këtë pjesë u ndihmua nga misioni i OSBE-së. Serbët nuk u lejuan që të votojnë me dokumente të Serbisë, por vetëm me dokumentacionin e Kosovës. Edhe në këtë pjesë procesi rrodhi i qetë, ndërsa në media u denoncua mesazhi i dërguar nga një kompani telefonike serbe që ushtron aktivitetin e saj në Kosovë, ku ftoheshin qytetarët serbë që të dilnin në votime dhe të votonin Listën Serbe, si e preferuar e Beogradit.

Mesazhet nga Tirana

Presidenti Ilir Meta vlerësoi procesin, pa u ndalur tek fituesit dhe humbësit e tij. Ai thotë se Kosova duhet të jetë shembull, për vende të tjera në rajon, që vuajnë nga “autoritarizmi”. Presidenti nuk përmend emra shtetesh, por dukshëm nënkupton Shqipërinë me këto fjalë.

“Zgjedhjet e djeshme në Kosovë, një shembull i shkëlqyer i funksionimit të demokracisë dhe i besimit te demokracia dhe vota e lirë. Urime qytetarëve të Kosovës dhe klasës politike, që i treguan mbarë botës se shteti i Kosovës është jo vetëm tërësisht funksional, por edhe një shembull i demokracisë në rritje, në një rajon që ende vuan nga autoritarizmi dhe pamundësimi i zgjedhjeve tërësisht të lira, si ato që e gjithë bota ndoqi dje në Kosovë”, shkruan ai.

Edi Rama uroi përmes Tëitterit Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin dhe po ashtu edhe PDK për pranimin shembullor të rezultatit.

Edhe Lulzim Basha uroi Vetëvendosjen dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës. Edhe kreu i PD-së vlerësoi procesin duke e cilësuar atë si dëshmi e një demokracie funksionuese.

“Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj si shtet demokratik. Populli i Kosovës votoi për ndryshim duke mandatuar opozitën për të udhëhequr në rrugën e transformimit ekonomik dhe integrimit euro-atlantik. Urimet më të përzemërta LVV dhe LDK, Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit për fitoren. Përgëzime udhëheqësve të forcave të tjera politike garuese në këto zgjedhje që me qëndrimet e tyre europiane japin garanci për ecjen përpara të Kosovës. Dje populli i Kosovës dha një shembull frymëzues me pjesmarrjen civile dhe masive në zgjedhje, Policia e Kosovës tregoi profesionalizëm të lartë në ndalimin e menjëhershëm të atyre që cenuan sekretin e votës së lirë duke e fotografuar atë. Kosova i dëshmoi botës se është një demokraci funksionuese dhe se meriton sa më parë vendin dhe rolin e saj në të gjitha institucionet dhe proceset ndëkombëtare. Urime Kosovë!”, shkruan ai.

Monika Kryemadhi thotë se zhvillimi i zgjedhjeve në Kosovë ishte një tregues i shkëlqyer i maturisë demokratike që kanë arritur qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politik.

“Kosova dha një shembull të kulturës demokratike dhe përgjegjësisë qytetare, i cili do të ndikojë pozitivisht në rritjen e statusit ndërkombëtar të saj. Uroj përzemërsisht gjithë drejtuesit e forcave politike për suksesin dhe sjelljen e tyre në zgjedhje”, deklaron kryetarja e LSI-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë