Analize

Sindroma “Havana”/ SHBA akuzon Rusinë se po sëmur agjentët dhe diplomatët amerikanë

Rreth 100 oficerë të CIA-s dhe anëtarët e familjes së tyre janë prekur nga një sindromë misterioze që shkakton migrenë, humbje kujtese dhe marramendje dhe SHBA i ka drejtuar të gjitha dyshimet nga Rusia. Agjentë të shumë CIA-s janë në mesin e rreth 200 zyrtarëve dhe diplomatëve amerikanë dhe të afërmve të tyre sëmurë nga "sindroma Havana", tha drejtori i CIA-s, William Burns.

Burns, diplomati i parë i karrierës që shërben si drejtor i CIA-s, tha në një intervistë se agjencia e inteligjencës kishte krijuar një task forcë për të hetuar dhe përcaktuar shkakun e sindromës misterioze dhe lidhjen e saj me Rusinë. Task-forca mësohet se po udhëhiqet nga një oficer të lartë i cili dikur udhëhoqi ndjekjen për Osama bin Laden dhe përfshin edhe ekipit mjekësor.

Sindroma Havana, e cila shkakton simptoma të tilla si marramendje, të përziera, migrenë dhe humbje të kujtesës, quhet kështu sepse së pari u raportua nga zyrtarët amerikanë në ambasadën e SHBA-së në Kubë në vitin 2016.

Drejtori i CIA-s, William Burns

Drejtori i CIA tha se një hetim i Akademisë Kombëtare të Shkencave të SHBA-së në dhjetor hodhi teorinë se sindroma po shkaktohej nga rreze të dëmshme energjitike, të krijuara në mënyrë artificiale dhe duke nisur nga eksperienca e së kaluarës, ai akuzoi Rusinë si përgjegjësen e mundshme.

“Ekziston një mundësi shumë e fortë që sindroma të jetë shkaktuar qëllimisht dhe se Rusia mund të jetë përgjegjëse", tha Burns.

Moska ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke i cilësuar si të pabaza, por hetimi ka të ngjarë të rrisë edhe më shume tensionet diploamtike mes dy vendeve,

Por çfarë dihet për sindromën Havana?

Në dhjetor 2017, zyrtari i CIA-s Marc Polymeropoulos u emërua si kreu i shërbimeve sekrete në Europë. Një udhëtim pune në Moskë ishte i pashmangshëm.

“Më ka mbetur peng që shkova në atë udhëtim sepse në fillim të dhjetorit 2017 u ngrita në mes të natës me marrje mendsh dhe zhurmë të rëndë në vesh. Isha shumë i sëmurë. Kam qenë në zona lufte në Irak dhe Afganistan por kurrë nuk kam provuar një gjë të tillë,” tregontë në atë kohë Polymeropoulos për mediat amerikane.

Fillimisht ai mendoi se ishte helmuar nga diçka që kishte ngrënë. Por kur nuk u përmirësua pas disa ditësh, shkoi për vizitë te mjeku.

“Më kontrolluan mjekët e qeverisë amerikane. Bënë analiza, më vizituan dhe e krahasuan gjendjen time me probleme që ishin vërejtur në Havanë,” tregon ish-agjenti i CIA-s.

Marc Polymeropoulos

Marc Polymeropoulos ende nuk ka marrë një diagnozë specifike. Si rezultat i dhimbjeve të kokës dhe problemeve të tjera, ai dha dorëheqje vullnetarisht nga puna.

Sindroma misterioze u shfaq për herë të parë kur një punonjës i ambasadës amerikane në Havanë shkoi te mjeku duke u ankuar për marrje mendsh dhe dhimbje të fortë koke. Pas disa ditësh dhjetëra vetë kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të ngjashme.

Në verën e vitin 2017, neuro-kirurgut të Universitetit të Pensilvanisë Douglas Smith iu kërkua të analizonte simptomat misterioze.

Imazhet e rezonancës magnetike të trurit nuk zbuluan probleme. “Simptomat e tyre na bënë të kalonim në kontrolle të avancuara të trurit,” tha Dr. Smith. Ai thotë se skaneri i avancuar tregoi ndryshime të dukshme në trurin e viktimave.

Në këtë fazë, inteligjenca amerikane filloi të analizonte mundësinë që rusët të ishin shkaktarë të kësaj sëmundjeje misterioze. Sipas CIA-s, agjentët rusë kanë bërë gjëra të ngjashme më parë:

“Kur isha në Moskë në vitet 1970-1980, kishim raste të tilla kur personeli dhe ambasada jonë bombardoheshin me rrezatime me valë të dëmshme,” thotë James Olson, ish-agjent i CIA-s.

Aktualisht, nuk ka të dhëna publike që i lidhin Moskën me këto simptoma, por raporti  Akademisë Kombëtare të Shkencave, i cili arriti në përfundimin se simptomat ka gjasa të jenë shkaktuar nga “energji e shenjestruar me impulse e frekuencave radiologjike, rriti dyshimet për përfshirjen e inteligjencës ruse.

Smith thotë se sindroma është reale dhe se ka diçka që shkakton dëmtimet në tru që ai zbuloi tek pacientët që kontrolloi.

Në maj 2021, gazeta "New York Times" njoftoi se numri total i pacientëve me Sindromën e Havanës ka arritur në mbi 200 zyrtarë të CIA-s dhe diplomatë.

Burimet: "The Guardian", "New York Times"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë