Bledar Hoti – Mbipopullimi i burgjeve shqiptare dhe kushtet se si trajtohen të burgosurit janë një nga shqetësimet kryesore të institucioneve evropiane, të cilat i kanë kërkuar qeverisë shqiptare që të shohin mundësinë për uljen e numrit të personave që vuajnë dënimin me burg. Sipas shifrave zyrtareve numri i personave që vuajnë dënimin është rreth 5500 persona. Situata alarmante ka ndikuar që Ministria e Drejtësisë, të ndërmarrë nismën për ndryshimin e ligjit “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në këtë draft parashikohet trajtim i diferencuar i të dënuarve, në varësi të sigurisë së institucionit të vuajtjes së dënimit. Diferencimi është i nevojshëm me qëllim realizimin e funksionit riedukues të dënimit, si edhe rrezikshmërisë që paraqet i dënuari. Diferencimi në trajtim i të dënuarve do të përcaktohet në këtë ligj, në Rregulloren e Përgjithshme të Burgjeve dhe rregulloret e brendshme të çdo institucioni.
Nisur nga kjo procedurë në këtë projektligj parashikohet që të burgosurit të ndahen në disa kategori sipas veprave penale që ata kryejnë dhe rrezikshmërisë që paraqesin.
Burgjet, mbi bazën e kategorisë që akomodojnë, ndahen në: a. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e rritur; b. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të dënuarit e mitur; c. Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për gratë; ç. Institucionet e paraburgimit.

Në pikën dy të nenit 8 theksohet se burgjet mund të ndahen në seksione sipas nevojës së administrimit. “Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, ose seksione brenda tyre, mbi bazën e sigurisë, kategorizohen si më poshtë: a. siguri e lartë; b. siguri e zakonshme; c. siguri e ulët; ç. institucion i hapur”, thuhet në projektligjin e siguruar nga Gazeta “Si”. Krijimi, klasifikimi dhe mbyllja e institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale me burgim apo seksioneve të veçanta në këto institucione bëhen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.
Në draft theksohet se përmes këtij projektligji, synohet t`i jepet zgjidhje ligjore një problemi me të cilin është ndeshur në praktikë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe që është kthyer në shqetësim, lidhur me ata persona për të cilët nuk ka dhënë vendim gjykata. Dispozitat aktuale të ligjit nr. 8328/1998, parashikojnë se vendosja e të dënuarit në burgun e sigurisë së lartë kur nuk është shprehur gjykata me vendim, bëhet me kërkesë të prokurorit tek ajo gjykatë.

Sipas të dhënave të vitit 2017, rezulton se për rreth 60 të dënuar me dënime mbi 15 vjet burgim, gjykata nuk është shprehur, çka ka vështirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për vendosjen e tyre nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Në këtë drejtim, ky projektligj synon përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të qarta për shpërndarjen e subjekteve të dënuar me burgim nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, nëpërmjet vlerësimit të rrezikshmërisë dhe vendosjes në institucione në përputhje me rrezikshmërinë dhe nivelin e sigurisë.
Te institucioni i sigurisë së lartë përfshihen personat që kanë kryer çdo vepër penale të kryer nga grupi i strukturuar kriminal, organizata kriminale, organizata terroriste dhe banda e armatosur, sipas përcaktimeve të Kodit Penal; për veprat penale për të cilat Kodi Penal parashikon dënimin me burgim të përjetshëm; për veprat penale të kryera nga përsëritësit për të cilat gjykata ka dhënë një dënim jo më të vogël se 15 vite burgim; për krimet kundër jetës për të cilat gjykata ka dhënë një dënim jo më të vogël se 20 vjet burgim; për veprat penale të parashikuara në nenet 100 dhe 101 të Kodit Penal.
Gjithashtu është parashikuar në këtë kategori mund të përfshihen edhe të burgosur të tjerë që gjatë qëndrimit në qelitë shfaqin qëndrime apo kryejnë veprime që bëjnë të pamundur qëndrimin në burgjet e kategorive të tjera.

Vendosja fillestare e të dënuarit në IEVP të sigurisë së lartë, bëhet mbi bazën e vendimit të shprehur nga gjykata. Në rastet kur gjykata nuk është shprehur me vendim dhe është rasti i të dënuarve të cilët në kryerjen e veprës penale janë karakterizuar nga qëndrime e sjellje që bëjnë të pamundur qëndrimin në burgjet e kategorive të tjera, vendosja bëhet me kërkesë të prokurorit tek ajo gjykatë. Kërkesa duhet të paraqitet menjëherë dhe gjithsesi jo më vonë se 48 orë nga marrja dijeni për vendimin e gjykatës.
Gjithashtu është parashikuar ndryshimi i klasifikimit të sigurisë për të dënuarit që vuajnë dënimin në institucionin e sigurisë së lartë. Një Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve, i ngritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve do të kryejë një proces të tillë, i cili i paraqet raportin Drejtorit të Përgjithshëm i Burgjeve për të vendosur për kalimin ose jo të dënuarit nga institucioni i sigurisë së lartë në institucion të sigurisë së zakonshme. Gjatë gjykimit të çështjes, i dënuari qëndron në institucionin e sigurisë së lartë.
Kundër vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i dënuari, mbrojtësi ose e prokurori, mund të paraqesin kërkesë ankimore në gjykatë brenda 10 ditëve nga momenti i njoftimit të vendimit. Projektligji parashikon që Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë do të hartojë raporte për gjykatën, me kërkesë të kësaj të fundit, për vlerësimin faktik të rrezikshmërisë së të burgosurve dhe vendosjen në nivelin e sigurisë së lartë dhe shumë në lartë në përputhje me rrezikshmërinë që paraqesin.
Burgu i sigurisë së ulët dhe i lirë
Në burgun e sigurisë së ulët do të përfshihen ata persona që kanë vuajtur pjesën më të madhe të dënimit. “Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin, apo me nismën e vet, për të dënuarit që vuajnë dënimin në IEVP të sigurisë së zakonshme dhe kanë vuajtur jo më pak se 2/3 e dënimit bazuar dhe në raportin e Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të Dënuarve, mund të vendosë kalimin e tyre në një burg të sigurisë së ulët”, thuhet në nenin 15 të draftit.
“Burg” i hapur quhet ai institucion ku vuajnë dënimin të dënuarit me burgim, që u kanë mbetur më pak se 6 muaj burgim dhe që bazuar në raportin e Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë të Dënuarve nuk përbëjnë risk sigurie për institucionin apo komunitetin; Të dënuarit me gjysmë liri. Kalimi i të dënuarve me burgim, në një institucion të hapur bëhet vetëm për të dënuarit që janë duke vuajtur dënimin në një institucion të sigurisë së ulët.

Ky transferim bëhet nga Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, me kërkesë të drejtorit të institucionit ku i dënuari po vuan dënimin, apo me nismën e vet, bazuar në raportin e Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë së të dënuarit. Institucioni i hapur arrihet nëpërmjet krijimit të një regjimi jete sa më normal, pa kontroll të përhershëm e të vazhdueshëm nga punonjësit e institucioneve të ekzekutimit të dënimeve penale, me mundësi të lirisë së lëvizjes brenda dhe jashtë institucionit. Risocializimi, rehabilitimi i të dënuarve është arsyeja që e justifikon zbatimin e burgjeve me regjim të hapur.
Në ndryshim nga institucionet e tjera të ekzekutimit të vendimeve penale, burgjet me regjim të hapur karakterizohen nga mungesa e mjeteve pasive represive, nga një disiplinë e pranuar nga ana e të dënuarve dhe nga puna e tyre, si dhe nga pjesëmarrja në aktivitete, si: shkollimi, trajnimi, terapia, dhe ngjarjet kulturore e sportive, të organizuara jashtë burgut.
Kushtet e të burgosurve dhe ajrimi
Në draftin e ri parashikohet se në vendosjen e të paraburgosurve apo të të dënuarve mbahen parasysh kushtet dhe mundësitë konkrete të çdo institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale, por në çdo rast duke iu siguruar kubatura jo më pak se 9 m³ dhe sipërfaqja e banimit jo më pak se 4 m² për çdo të paraburgosur apo të dënuar, dritare që mundësojnë ajrim të mjaftueshëm dhe ndriçim natyral normal për të lexuar e punuar. Drita artificiale duhet të plotësojë standardet teknike, të përcaktuara nga legjislacioni në fuqi. Të paraburgosurve apo të dënuarve u sigurohet energji elektrike e nevojshme për ndriçim dhe nevoja të higjienës personale. Këto kushte sigurohen edhe kur në institucione të ekzekutimit të vendimeve penale ka raste të mbipopullimit. Ndërsa sa i përket daljes në ajrim drafti parashikon ndryshime, duke e kufizuar daljen në një orë në ditë, për shkaqe të veçanta dhe vetëm me urdhër të drejtorit të institucionit.

Ajrimi i burgosurve mund të bëhet në grup, ose i veçantë. Drafti parashikon ofrimin e avokatit falas për të burgosurit nëpërmjet ndihmës ligjore, si një praktikë evropiane.
I paraburgosuri dhe i dënuari mund të vendoset nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë për një periudhë jo më të gjatë se 3 muaj, kur: “rrezikojnë sigurinë për personelin e burgut, vizitorët, kur ka rrezik të dëmtojnë veten ose të tjerët; ka rrezik të pengojnë veprimtarisë e të paraburgosurve ose të dënuarve të tjerë nëpërmjet dhunës ose kërcënimeve; ka rrezik të detyrojnë të paraburgosurit ose të dënuarit e tjerë që t’iu nënshtrohen ose të përfitojnë prej tyre; ka rrezik të nxisin të tjerët të mos zbatojnë ose të shkelin rregullat individualisht ose në grup. Ndërsa theksohet se Puna nuk mund të jetë një masë disiplinore ndaj të burgosurit. “Ndalohet përdorimi si masë disiplinore i çdo lloj dënimi/ndëshkimi fizik ose trupor, heqje ose kufizim i ushqimit, heqje ose kufizim i kujdesit shëndetësor. Masat disiplinore të marra ndaj të miturit nuk duhet të sjellin shkeljen apo cenimin e dinjitetit të tij, trajtimin çnjerëzor, degradues apo dëmtimin e shëndetit të tij fizik ose mendor”, thuhet në nenin 31 të draftit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





