"Në pak më shumë se një dekadë, më shumë se një mijë gazetarë u vranë gjatë kryerjes së punës së tyre të domosdoshme dhe nëntë nga dhjetë raste nuk janë zbardhur".
Deklarata vjen nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, për Ditën Ndërkombëtare kundër Pandëshkueshmërisë për krime kundër gazetarëve. "Mijëra të tjerë janë sulmuar, ngacmuar, arrestuar ose burgosur me akuza të rreme, pa një proces të duhur", shtoi Guterres.
Guterres gjithashtu tha se ai ishte "thellësisht i shqetësuar", duke kujtuar se së paku 88 gazetarë u vranë vetëm në vitin 2018. "Kjo është një gjë përtej çdo limiti dhe nuk duhet të bëhet normë e re".
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së theksoi se "gazetaret femra, shpesh rrezikojnë më shumë, jo vetëm për punën e tyre, por edhe për gjininë e tyre. Kur gazetarët janë në shënjestër, kompanitë në tërësi paguajnë një çmim".
OKB-ja ka "thirrur qeveritë dhe komunitetin ndërkombëtar që të mbrojnë gazetarët dhe të krijojnë kushtet që duhet për të bërë punën e tyre”.
Sipas Indeksit të sivjetshëm botëror të Lirisë së Medies, armiqësia ndaj reporterëve është përhapur nga diktaturat te demokracitë, e inkurajuar nga sulmet e presidentit amerikan Donald Trump dhe udhëheqësve të tjerë kundër të ashtuquajturave “lajme të rreme”.
Madje, për konsorciumin ndërkombëtar të gazetarëve investigativë, rënia më e madhe e lirisë së shtypit këtë herë është vënë re në Europë, edhe pse rajoni vazhdon të cilësohet si më i sigurti për reporterët nëpër botë, e në këtë përfundim ndikuan tre vrasje: ajo e gazetares Daphne Caruana Galizia në Maltë, ekzekutimi i reporterit Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij në Sllovaki si dhe rasti i fundit i vrasjes së gazetares bullgare Viktoria Marinova.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.