Shendet

Alarmi i ECDC: Vapës në Europë po i shtohet edhe rreziku i sëmundjeve infektive

Nga Gazeta ‘Si’- Verat gjithnjë e më të gjata dhe më të nxehta po rrisin rrezikun e sëmundjeve infektive në Europë, ka paralajmëruar Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Sipas agjencisë, temperaturat e larta dhe zgjatja e periudhave të vapës krijojnë kushtet ideale për përhapjen e një sërë infeksionesh, duke e bërë të domosdoshëm bashkëpunimin ndërkufitar dhe ndërmjet sektorëve për parashikimin, parandalimin dhe menaxhimin e këtyre kërcënimeve.

“Ndërsa valët e të nxehtit janë në qendër të vëmendjes, janë temperaturat vazhdimisht të larta dhe për periudha gjithnjë e më të gjata që krijojnë kushtet për përhapjen e shumë infeksioneve”, thekson ECDC.

Me ndryshimet klimatike që po zgjerojnë gamën e kërcënimeve për shëndetin publik, agjencia nënvizon nevojën për bashkëpunim afatgjatë mes sektorëve të shëndetit të njeriut, mjedisit dhe shëndetit të kafshëve.

ECDC po monitoron katër kategori kryesore të sëmundjeve që shtohen gjatë verës:

Sëmundjet që transmetohen nga ushqimi

Këto janë ndër sëmundjet më të zakonshme të stinës së verës, pasi temperaturat e larta përshpejtojnë shumimin e baktereve në ushqime.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), moti i nxehtë dhe i lagësht krijon kushte ideale për zhvillimin e mikrobeve, duke e bërë ushqimin të pasigurt edhe kur nuk ka ndryshime të dukshme në pamje, shije apo erë.

Ekspertët këshillojnë larjen e frutave dhe perimeve, ndarjen e ushqimeve të pagatuara nga ato të gatuara, gatimin e plotë të ushqimeve dhe ruajtjen e tyre në temperatura të sigurta.

Sëmundjet që transmetohen nga mushkonjat

Sipas ECDC-së, sëmundjet që përhapen nga mushkonjat po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në Europë, pasi stinët më të gjata, të ngrohta dhe të lagështa po favorizojnë përhapjen e specieve invazive në zona ku më parë nuk ishin të pranishme.

Sëmundje si dengue, chikungunya dhe virusi i Nilit Perëndimor po përbëjnë një shqetësim në rritje për shëndetin publik.

Sezoni i transmetimit të virusit të Nilit Perëndimor zgjat zakonisht nga fundi i pranverës deri në vjeshtë, me kulmin gjatë muajve korrik-shtator. Këtë vit raste janë raportuar në Greqi, Itali, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Spanjë.

Për t’u mbrojtur, ECDC rekomandon përdorimin e repelentëve kundër insekteve, veshje mbrojtëse, rrjeta në dritare, kondicioner ose rrjeta kundër mushkonjave, si edhe eliminimin e ujërave të ndenjura pranë banesave, ku mushkonjat shumohen.

Sëmundjet që transmetohen nga rriqrat

Rriqrat janë një tjetër rrezik tipik i verës. Ato nuk shkaktojnë vetë sëmundje, por mund të transmetojnë viruse ose baktere përmes pickimit, duke shkaktuar sëmundje si encefaliti i transmetuar nga rriqrat dhe sëmundja Lyme, të cilat mund të sjellin pasoja afatgjata për shëndetin.

Vaksinimi mbetet një nga mënyrat më efektive për parandalimin e encefalitit të transmetuar nga rriqrat. Në rajonin europian raportohen mesatarisht rreth 3 mijë raste në vit.

Agjencia rekomandon veshjen e rrobave me mëngë dhe këmbë të gjata gjatë ecjeve në natyrë ose në parqe, si edhe kontrollimin e trupit dhe heqjen e rriqrave pas qëndrimit jashtë.

Vibrioza

Një tjetër rrezik gjatë verës është vibrioza, një infeksion i shkaktuar nga bakteret Vibrio, të cilat zhvillohen në ujëra të ngrohta me kripësi mesatare.

Infeksioni mund të merret gjatë larjes në ujëra të kontaminuara ose nga konsumimi i produkteve të detit të infektuara.

Megjithëse rastet mbeten relativisht të rralla në Europë, disa vende veriore që kufizohen me Detin Baltik kanë raportuar rritje të tyre vitet e fundit, sidomos gjatë verave me valë të gjata të të nxehtit dhe temperatura më të larta të ujit.

Për të ulur rrezikun, ECDC këshillon shmangien e larjes në det nëse keni plagë, prerje ose shpime të freskëta në lëkurë, si edhe gatimin e mirë të produkteve të detit. Agjencia monitoron përhapjen e baktereve Vibrio përmes një harte interaktive që përditësohet çdo ditë me parashikim pesëditor/ Euronews eu


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë