Ngjarje

Alarm për përmbytje, Peleshi: Bashkitë e rrezikuara të marrin masa

Ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave kanë paralajmëruar për reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë, duke filluar prej orëve të para të kësaj të marte; çka paraqet një rrezik të shtuar për përmbytje.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka paralajmëruar se reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata.

Peleshi u bëri thirrje bashkive që rrezikohen, që të marrin masat e nevojshme.

“Bazuar në informacionin e marrë nga ekspertët e Institutit të Gjeoshkencave, duke filluar prej orëve të para të së martës, në vendin tonë priten reshje me intensitet të lartë në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Fier dhe Vlorë. Reshje mesatare priten në shumicën e qarqeve të tjera të vendit duke u shoqëruar edhe me shtrëngata. Në qarqet e sipër përmenduara, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për çdo rast emergjence, ndaj ju bëjmë thirrje të gjitha bashkive të marrin sa më parë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Do të jemi në vëzhgim për të gjitha situatat që mund të ndodhin, duke garantuar sigurinë e qytetarëve tanë”, shkruan Peleshi në Facebook.

E ndërkaq, vendi ynë do të jetë i përfshirë nga vranësira të dendura të cilat do të gjenerojnë rebeshe shiu në ultësirën Perëndimore. Ndërsa reshje disi më të pakta do të ketë në zonat malore. Parashikohet që kushtet e paqëndrueshme atmosferike të vijojnë edhe gjatë pasdites ku rrebeshet e shiut do të jenë prezente. Po ashtu priten edhe mini-stuhi të forta ere dhe breshëri në zona të izoluara. Ndërsa orët e natës vonë sjellin përmirësim të përkohshëm të kushteve të motit në vend.

Temperaturat e ajrit ulen ndjeshëm në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 16°C deri në 30°C. Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det duke arritur shpejtësinë 60 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 4 ballë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë