Lajme

Akuzohet se pastronin para përmes drogës, Prokuroria e Fierit dërgon për gjykim babë e bir

Gazeta Si – Prokuroria e Fierit, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq dy persona, babë e bir, shtetasit E.H., 28 vjeç dhe A.H., 51 vjeç,për pastrim parash.

Sipas hetimeve rezultoi se të pandehurit nuk kanë pasur burime të ligjshme për të krijuar pasurinë në vlerën 40.800 euro dhe 3.000 USD, që iu sekuestruan në banesë në të njëjtën datë që iu sekuestrua edhe sasia prej disa kilogram lënde narkotike dhe u gjetën bimë narkotike të kultivuara.

Babë e bir u kapën me drogë dhe rreth 44 mijë euro cash në banesë gjatë një operacioni më 30 korrik 2022 në fshatin Kreshpan. Nën akuzë për drogën është edhe djali tjetër i familjes, që i shpëtoi operacionit të parë.

“Të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë fshehur ose kryer mbulimin e natyrës së vërtetë dhe burimit të pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale,” njofton Prokuroria.

Organi i akuzës ka kryer një verifikim të plotë të veprimeve ekonomike dhe juridike të tyre dhe familjarëve të tyre, me qëllim evidentimin e pasurive që këto persona zotërojnë/posedojnë, si dhe nëse këta persona kanë pasur burime të ligjshme për krijimin e pasurive.

“Pas kryerjes së verifikimeve dhe ekspertimit kontabël të tyre, ka rezultuar se ato nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e pasurisë në zotërim apo posedim të tyre,” njofton më tej organi i akuzës.

Pasuria gjendje e dy të pandehurve dhe e familjareve rezulton të jetë 6 automjete dhe shuma e parave cash në vlerën totale prej 8.778.866 lekësh. Por Prokuroria thotë se ato nuk justifikohen nga burime të ligjshme të ardhurash.

“Duke marrë në konsideratë rezultatet e hetimit, subjekti zotëron në emër të tij (në mënyrë të drejtpërdrejtë) dhe të familjarëve të tij, pasuri që nuk justifikohen në raport me nivelin e të ardhurave apo fitimeve nga veprimtaritë e ligjshme të deklaruara dhe që nuk përligjen prej tyre,” mbylli njoftimin e saj Prokuroria.

“Në kuadër të operacionit të koduar ‘Kreshpan’, u ushtrua kontroll në banesën e këtyre shtetasve, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, rreth 8 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 2 armë gjahu pa leje, 4 automjete si dhe  40.800 euro, 3000 dollarë, të dyshuara të përfituara nga aktivitetet kriminale”, njoftonte policia pas aksionit në vitin 2022.

Gjithashtu, në vijim të kontrolleve, në një sipërfaqe toke në pronësi të këtyre shtetasve, u gjetën të kultivuara 163 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë