Ka ndodhur

Akuzohet për vrasjen me thikë të kunatit, 30-vjeçari ekstradohet nga Shqipëria në Itali

Gazeta Si - Gëzim Gjini, i cili që akuzohet se organizoi në dhjetor 2022 në Itali vrasjen me mjet prerës të bashkëshortit të motrës së tij, Petrit Caka, është ekstraduar nga Shqipëria drejt shtetit fqinj.

30-vjeçari u arrestua në Shqipëri në muajin gusht të vitit 2023, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “Infra Atlas”, i cili në atë periudhë zhvillohej paralelisht në disa shtete dhe koordinohej nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në Lion.

“Ky shtetas ka qenë i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Velletri, Itali, me vendimin e datës 17.07.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasje”, për të cilën Kodi Penal i Italisë parashikon deri në 30 vjet burgim”, njofton “Interpol Tirana”.

Për të fshehur vrasjen, Gëzim Gjini, e motra e tij dhe 2 bashkëpunëtorët e tjerë tashmë të vënë në pranga e inskenuan ngjarjen si grabitje, ku Caka u vra pa mëshirë, duke u goditur disa herë me thikë.

Hetimet e autoriteteve italiane si dhe përgjimet e zhvilluara zbuluan të gjithë dinamikën e ngjarjes së rëndë. Konkretisht rezultoi se Gëzim Gjini dhe dy bashkëpunëtorët e tij ishin thirrur prej motrës së tij për të vënë në jetë planin e vrasjes.

Autorët mbërritën në Itali në aeroportin e Romës më 10 dhjetor, ndërsa vetëm 3 ditë më pas u ekzekutua Petrit Caka.

Ishte gruaja e tij që njoftoi karabinierët për ngjarjen duke deklaruar se ka gjetur në shtëpi trupin e pajetë të bashkëshortit të saj, thënie këto që rezultuan të pavërteta.

Shkak për realizimin e këtij plani u bënë konfliktet e vazhdueshme mes çiftit, që shpesh herë sipas gruas kishin përfunduar me dhunimin e saj


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë