Drejtësia

Akuzohet për vrasjen e ish-policit, SPAK kërkon 19 vjet burg për Blendi Tetën

SPAK ka kërkuar 19 heqje lirie për Blendi Tetën, i cili akuzohet për vrasje me paramendim të Santiago Malkos, në 27 gusht të vitit 2019.

Për vrasjen e ish-policit, vijojnë të jenë në kërkim edhe 7 persona të tjerë, mes tyre edhe vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka.

Hetuesit kanë dyshime se vrasja ka ndodhur për shkak të një konflikti të vjetër të viktimës me autorët. Malko u ekzekutua me breshëri automatiku, teksa lëvizte me makinë në zonën e “Xhamllëkut” në kryeqytet.

Sipas prokurorisë, Blendi Teta së bashku me dy persona të tjerë, pasi janë takuar në një lokal në zonën e Freskut, kanë ndjekur lëvizjet e ish-efektivit Malko deri pak momente para ekzekutimit.

Malko u ekzekutua në Tiranë mbrëmjen e 27 gushtit, ndërsa Teta ka mohuar akuzat për përfshirjen në krim duke thënë se ai nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.

Ndërkohë prokurori i çështjes ka kundërshtuar deklarimet e tij, duke i thënë gjykatës së në fashikujt e dosjes hetimore ka prova të mjaftueshme se Teta ka pasur rol kryesor në atentatin mafioz. Sipas tij, përveç, pamjeve filmike ka dhe prova të ADN të Tetës qe e implikojnë atë në ngjarje.

Autorët që ekzekutuan Santiago Malkon e ndoqën viktimën nga një distancë shumë e afërt me makinën e tij në momentet para atentatit.

Ish-polici lëvizte në rrugën e Porcelanit me automjetin e tij, BMË X5 ngjyrë e zezë. Vetëm pak sekonda më pas shfaqet makina “Volkswagen” tip ‘Golf’ e bashkëpunëtorëve në krim që e ndjekin pas.

Automjeti nga ku u qëllua për vdekje është një “Mercedes-Benz” i zi i tip ‘CSL’. Ish-polici Malko ul shpejtësinë, pasi ishte duke folur në telefon. Ai ndalon në një zonë të ndriçuar pranë  një lavazhi, ku ka edhe bar-kafe, duke mos vënë re se ndiqej nga dy automjete njëkohësisht.

Njëri nga atentatorët ul xhamin e pasmë të makinës dhe qëllon me breshëri plumbash, duke e lënë të vdekur në vend.

Hetuesit dyshojnë se ekzekutimi është bërë më parë se vendi i parashikuar nga atentatorët, një zonë 100 metra më lart, e pandriçuar dhe pa kamera sigurie.

Ndalimi i viktimës në rrugë pranë një lavazhi, i bëri atentatorët të dyshojnë se, ai do të qëndronte aty, duke i prishur planet e ekzekutimit.

Nga këqyrja e pamjeve filmike në rrugën “Xhafize Keko”, del se pas krimit, një person zbret nga dera e pasme e makinës “Mercedes-Benz” dhe hipën në automjeti tip “Golf”.

Gjurmët e ndjekjes humbin në drejtim të Tufinës, ndërsa automjeti i zi, tip “Mecedes” u gjet i shkrumbuar në fshatin Ferraj, vetëm 20 minuta larg vendngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë