Ana e errët

Akuzohet për 5.4 milionë lekë borxhe shtetit, punëtori në minierën e Bulqizës: Dua mëshirë. Nuk hetojnë për pastrim parash, hetojnë shitësit e kioskave

Nga Gazeta Si - Megjithëse një 63-vjeçar kërkoi mëshirë nga gjykata dhe një mundësi për t’u kuruar, ai u shpall fajtor për kallëzim të rremë dhe fshehje të të ardhurave. Siç bëjnë me dije burime të Gazetës Si, E. D përsëriti në Gjykatën e Tiranës se në kushte varfërie dhe papunësie, dhe mbasi kioska nuk kishte më të ardhura ai udhëton çdo ditë për të punuar në një minierë jashtë Tiranës. I punësuar në minierën e Bulqizës shqipëroi fjalën “mëshirë". "Më jepni një mundësi të kurohem dhe të jetoj”. Por i hetuar nga prokuroria e Tiranës për fshehje të të ardhurave dhe për kallëzim të rremë, ai nuk e preku ndërgjegjen e asnjërës nga palët, as Gjykatën dhe as Prokurorinë e Tiranës. Burri bëjnë me dije burimet u referua nga një kallëzim me numër 13103 nga sektori i hetimit tatimor në Drejtorinë e Hetimit Tatimor Qendror, pasi kishte hapur një dyqan që shiste artikuj ushqimorë. Fashikulli që ju vendos Gazetës Si në dispozicion nga palët tregon se nga verifikimet në sistemin C@ATS dhe në QKB, 63-vjeçari e kishte hapur dyqanin me objekt “shitje me pakicë artikujsh ushqimorë, pije dhe duhan”. Por tri vite më vonë ai e çregjistron. Prokuroria e Tiranës këmbëngul se pavarësisht konfirmimit për ta mbyllur kioskën, burri e vazhdoi aktivitetin.

“Ky shtetas e vazhdoi shitjen e artikujve duhan dhe ushqime sepse u zbulua që subjekti u pajis me kasë fiskale”, deklaron prokurori. Gjatë kësaj kohe minatori i Bulqizës nuk deklaroi një TVSH prej 19.477 lekë, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe tatimfitimin. Ndaj prokuroria e vendosi atë me shpatulla pas muri me deklaratën para gjykatës se gjatë vizitës në këtë subjekt, ai nuk u gjet në vendin e ushtrimit të kontrollit, por aty u gjet bashkëshortja e tij. Duke numëruar detyrimet ndër vite për tatimfitimin që prej vitit 2014 prokuroria thotë se në total ato shkojnë 54 milionë lekë të vjetra. Por burri i kioskës ka përsëritur se nuk ka pasur të ardhura që të paraqitej në organet tatimore për t’i deklaruar dhe se shuma e tatimeve është e ekzagjeruar. Por askush nuk e ka dëgjuar atë.

“Ky fakt vërtetohet nga jeta që bëjmë ne si familje. Të gjitha veprimet i kam kryer përmes faturës dhe kasës. Vlera është shumë shumë më e madhe nga sa kam pasur fitim dhe aktivitet. Rrethanat e furnizimit me cigare dhe mënyrën si e kryeja pagesën, ka qenë marzhi i fitimit dhe mënyra se si kryeja derdhjet për pagesën për llogari të shlyerjes së detyrimit ndaj subjektit. Detyrimet nga tatimet janë të ekzagjeruara”, akuzon i dyshuari. Madje 63-vjeçari bëhet me dije se nuk ka firmosur asnjë shkresë. “Diçka e tillë i shtyu institucionet që të kryejnë ekspertim grafik të firmës së tij dhe rezultoi se të 38 shkresat janë firmosur prej tij”, thotë prokuroria, duke shtuar se punëtori i minierës së Bulqizës me këtë deklaratë tentoi të çorientojë hetimet, prokuroria kërkoi dënimin e tij edhe për kallëzim të rremë. Për fshehje të të ardhurave, 63-vjeçari u dënua me katër vjet burgim, kurse për kallëzim të rremë 6 muaj burgim, thanë burimet e Gazetës "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë