Drejtësia

Akuzat për vrasje/ Ardian Çapja flet me emra, por jo me mbiemra: Në përgjimet e 2016 një politikan me emrin Taulant!

Gazeta Si - I akuzuari kryesor për vrasjen e babë e bir, Nezir e Gentian Beqiri në vitin 2012 në Elbasan, Ardian Çapja, ka pretenduar para Gjykatës së së Posaçme se është i pafajshëm, duke këmbëngulur në alibinë se ishte jashtë Shqipërisë.

Ai akuzoi prokurorin Ritvan Sukaj për manipulimin e hetimit të ngjarjeve dhe lidhjen me krimin e para 10 viteve.

Por gjatë dëshmisë së tij, ai ka folur me emra, por jo me mbiemra për një tjetër ngjarje kriminale: atë të 3 shkurtit 2016, ku iu vra vëllai Agroni, dy të tjerë dhe 10 persona mbetën të plagosur.

Çapja tha se një politikan me emrin Taulant ka dalë në përgjime në këtë vit, por duke mos i përmendur mbiemrin këtij politikani, ai tha se bisedat e tij janë asgjësuar.

Çapja pretendoi se ka pasur edhe një telefonatë me këtë politikan, i cili i ka ofruar ndihmë, por ai nuk ka pranuar.

I dyshuari i drejtësisë mohoi përfshirjen në vrasjen e gushtit 2012 të babë e bir, duke pretenduar se në atë kohë ka qënë jashtë vendit në Greqi me pushime e më pas për punë në Maqedoni.

“Prokurori Ridvan Sukaj është i lidhur me krimin, i kam kërkuar që të zbardhen tri atentate që më janë bërë dy në 2017 dhe një në 2020 me snajper. Pas masakrës së 3 shkurtit 2016 unë nuk kam dal më nga shtëpia”, - ka thënë Çapja.

Ai ka folur edhe për vrasjen e avokatit Ravik Gurra, duke e lidhur sipas tij edhe me përgjimin e një politikani.

“Me avokatin e ndjerë Ravik Gurraj kemi marrë dosjen e ngjarjes së vitit 2016 dhe aty ka qenë në përgjim edhe një zyrtar i lartë me emrin Taulant. Më pas, kemi mësuar se me vendim të Gjykatës së Elbasanit përgjimet e politikanit janë asgjësuar. Politikani me emrin Taulant më ka marrë në telefon dhe më ka ofruar ndihmë, por unë nuk i kam kërkuar asgjë. Emrin e tij të plotë nuk e përmend, sepse më rrezikohet familja. Vrasja e avokatit Ravik Gurra lidhet me masakrën e 3 shkurtit. Prokurori Ridvan Sukaj nuk na ka marrë dëshmi për ngjarjen e 2016 dhe kjo është hakmarrje e Sukajt ndaj nesh”.

Sipas tij, “hetimet vazhduan për 2 vite dhe nuk arritën të zbulojnë asgjë. Këtu ka filluar manipulimi dhe orientimi i hetimeve. Kam dëgjuar në media që keni nën hetim vrasjen e avokatit tim Ravik Gurra, ke tre telefona, ke dosjen time, gjej kush ka vrarë avokatin, bëj drejtësi. Nëse zbardh vrasjen e avokatit Gurra do zbulosh thesare. Politika në Elbasan është e lidhur me krimin. Nisini hetimet që aty. Hap hetimin e Ravikut aty ke gjithë të vërtetën”, - iu drejtua ai prokurorëve në GJKKO.

Ardian Çapja pretendoi se hetimi ndaj tij ishte inskenim, teksa gjatë seancës u përplas edhe me bashkëpunëtorin e drejtësisë Ervis Bardhin.

SPAK e akuzon Ardian Çapjan, nipin e tij Florencin dhe 3 persona të tjerë se në vitin 2012 porositën për hakmarrje vrasjen në banesën e tyre të Nezir e Getian Beqirit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë