Gazeta Si – Pas mbylljes së hetimeve në shtator 2024, SPAK ka paraqitur kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq në ngarkim të ish-kryetarit të Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro dhe dy ish-drejtorë, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në dy raste dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai së bashku me disa ish zyrtarë kanë ndërmarrë veprime korruptive gjatë ushtrimit të detyrës, duke tjetërsuar dy prona.
Në total bëhet fjalë për 10 mijë m2 tokë e tjetërsuar në 2 sipërfaqe të ndryshme, që tashmë janë sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme. Hetimet e SPAK për këtë çështje u iniciuan pas dy kallëzimeve penale, një prej të cilave u depozitua nga Fredi Beleri.
Të dy kallëzimet u bashkuan në një të vetëm nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme. SPAK ka deklaruar gjithashtu se rezultoi plotësisht e provuar se ish-Kryebashkiaku Goro ka fshehur dhe nuk ka deklaruar një apartament, me sipërfaqe totale 81.41 m2, me adresë në Tiranë, të cilin e kishte regjistruar në emrin e një shtetasi tjetër.
Jorgo Goro akuzohet nga SPAK për “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim, teksa u arrestua në muajin mars të vitit të kaluar.
Dy ish-drejtorët janë: Vasillaq Strakosha, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë,i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”.
Jerasimo Bashi, ish-Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës pranë Bashkisë Himarë, i akuzuar për kryerjen e veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, me shumë se nje here e kryer ne bashkëpunim.
Nga hetimi i SPAK ka rezultuar se i “pandehuri Jorgo Goro, në cilësinë e ish-Kryetarit të Bashkisë Himarë ka kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me nenin 17 të ligjit nr.9948/2008 “Për Shqyrtimin e Vlefshmërisë Ligjore të Krijimit të Titujve të Pronësisë mbi Tokën Bujqësore”, në dëm të disa shtetasve, banues në Bashkinë Himarë.
Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionin e administruar, pyetjet e dëshmitarëve arrihet në konkluzionin se; shtetasi Jorgo Goro, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Himarë në bashkëpunim me shtetasit Jerasimo Bashi dhe Vasillaq Strakosha, kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim me ligjin Nr.171/2014 “Për Përfundimin e procedurave ligjore të kalimit të tokës bujqësore të ish ndërmarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve”, të ndryshuar, si dhe në kundërshtim me dispozitat e Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.337, datë 22/04/2015 “Për përcaktimin e procedurave të kryerjes së procesit të kalimit të tokës bujqësore të ish ndermarrjeve bujqësore në pronësi të përfituesve“, gjatë procesit të trajtimit të kërkesave të paraqitura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




