Politike

Akuzat e Metës ndaj Dumanit, PD e Rithemelimit hesht, Spiropali: Pse s’reagoni, ndajeni mendjen çfarë është SPAK për ju?!  

Nga Gazeta Si -Gjuha e ashpër e Ilir Metës ndaj kreut të SPAK, është shoqëruar me heshtje ‘varri’ nga Partia Demokratike e Rithemelimit.

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, u pyet nga media menjëherë pas mbledhjes së grupit nëse kishte ndonjë koment për Ilir Metën.

“Zoti Meta mban ato qëndrime që mban, duhet të pyesni atë për qëndrimet e tij. Unë nuk jam as komentator politik dhe as analist”, tha Bardhi për Metën që e kanë pjesë të koalicionit.

“Nuk mund të komentoj deklaratat politike të aleatit tonë”, ishte përgjigja e deputetit tjetër Ervin Salianji kur u pyet në emisionin ‘Debat” të mërkurën mbrëma.   

Heshtjen e PD së Rithemelimit e ka kuptuar edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, Elisa Spiropali, e cila kërkoi gjatë seancës të së enjtes që PD-ja ta ndante mendjen nëse “SPAK është organizatë kriminale siç e quajnë dy ‘baballarët’ e tyre (Meta e Berisha) apo institucion i drejtësisë”.

“Ju që keni opinion për gjithçka dhe gjithëkënd, a keni ju një opinion për dy baballarët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë. Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe tjetri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon SPAK dhe kreun e SPAK nëpër ekrane e ku t’i dalë para. A keni ju një opinion për këto, meqë keni opinione për gjithçka, bëni prokurorin e gjyqtarin.

Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve në majë të thanës ju as nuk e përmendi, të dy presidentë të kësaj republike, dy kryeministra, të dy bela të këtij populli. Ju nuk mund as të shpreheni dhe vini këtu e doni të bëni sherr e rrëmujë dhe të na thoni njëherë e mire ca opinioni keni për ulërimat e tyre. Nuk janë dy kokë dele, por janë dy baballarët e opozitës suaj në emër të cilëve vini këtu e na drejtoni gishtin për drejtësinë, ju që jeni të zhytur kokë e këmbe, vetëm dy gishta jashtë...”, tha Spiropali

"Babai jot i gjithë drejtimeve, Edi Rama ka ekzaktësisht të njëjtin qëndrim që kur goditen kundërshtarët, lavdëron SPAK e kur i cenohen oligarkët, e sulmon. Delir madhështie ka vetëm babai jot, e dëgjove si i tha, më marrin liderët botërorë e më marrin në telefon për të zgjidhur hallet e botës. Kur goditet opozita nga SPAK thërret fitore, kur goditen interesat e tij iu kërkon llogari, për portin e Limionit. Bëhet zëdhënësi i oligarkëve. Ne nuk kemi asnjë hall, hall jeni ju. Nuk shëtisim çdo ditë siç shëtisni. Hyn Niko, del Ogerta, hyn njëri këtej del andej. Ora e drejtësisë për çdo gjë që i keni bërë vendin këto vite, do ngjitet tek ministrat, ish ministrat. Ka vetëm një hall për ato që i ka bërë këto 11 vite Shqipërisë. Sa për mbështetjen për drejtësinë, për interesat personale të një ish ministrit të Edi Ramës grisët dhe hodhët në kosh një vendim të GJK", reagoi Bardhi por jo për Metën.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë