Lulzim Basha thotë se kriza energjitike e njoftuar nga Kryeministri Edi Rama të dielën që kaloi është e stisur dhe pasojë e keqmenaxhimit dhe korrupsionit qeveritar.
Ai tha se deklarata e Ramës për një periudhë të vështirë synon rritjen e çmimit për të mbushur gropën financiare në buxhet, ndërsa vendi nuk është në krizë financiare. Kreu i PD u shpreh se problemet që kemi me enregjinë nuk janë pasojë e krizave të importuara nga jashtë.
“Nuk ka krizë energjitike, qëllimi është rritja e çmimeve do të ketë vetëm një qëllim, mbushjen e gropës që ka hapur për t’ua kaluar këtë barrë familjeve shqiptare”, u shpreh ai.
Basha akuzoi se borxhi është jashtë kontrollit dhe ai nuk është përkthyer në rritje ekonomike për shqiptarët.
“Rritja e tij nuk është përkthyer kurrë në mirëqënie dhe rritje ekonomike për shqiptarët, por për pasurimin tuaj dhe krimit të organizuar që është ortaku i juaj në çdo koncesion dhe PPP”, tha Basha.
Kreu i PD akuzoi se mazhoranca i ka varur vendin në qafë një tabelë “Në shitje”, duke u shpallur luftë shqiptarëve dhe mirëqënies së tyre.
“Buxhetin e keni vendosur të gjithin në funksion të PPP-ve, një pjesë që janë fituar nga kompani të regjistruara në parajsa fiskale, pronarët fundorë të të cilave fshihen. Sekreti nuk mbahet për të mbrojtur emrin e mirë të zonjave dhe zotërinjve që përfitojnë”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.