Filma

Aktori Arnold Schwarzenegger: Rrezikova të vdisja për shkak të një gabimi mjekësor

Aktori foli në një video për operacionin në zemër që iu nënshtrua në vitin 2019 dhe si u rikthye në këmbë pas atij momenti dramatik.

Arnold Schwarzenegger, si një “Terminator” i vërtetë, nuk u dorëzua kurrë dhe doli më i fortë se më parë edhe nga një operacion në zemër, që i rrezikoi jetën për shkak të një gabimi mjekësor.

Aktori 76-vjeçar dhe ish-guvernatori i Kalifornisë ka rrëfyer incidentin, i cili daton në vitin 2019, në një video që shpërndau në YouTube.

I lindur me një defekt të lindur në zemër, aktori i “Terminator” dhe dhjetëra filmave të tjerë aksion dhe komedi i ishte nënshtruar tre operacioneve në zemër dhe në vitin 2019 iu desh të përballej me një tjetër operacion për të zëvendësuar një valvul aortale.

Fatkeqësisht, jo gjithçka shkoi si duhet: “Isha në panik”, thotë ai, kur mjekët i thanë “na vjen keq, nuk shkoi siç e kishim planifikuar. Bëmë një gabim dhe shpuam murin e zemrës”.

Schwarzenneger tregon vështirësinë e atij momenti: “Isha në mes të një katastrofe”, thotë ai, por nuk e humbi shpresën dhe me forcë dhe vendosmëri e përballoi situatën mjaft mirë, duke vendosur të “çohet nga shtrati dhe të fillojë të ecë”.

Në video ka pamje të realizuara në ato momente, ku aktori, i cili ecën nëpër korridoret e spitalit me ndihmën e një karroce, shfaqet ende i brishtë, por i vendosur për të arritur qëllimin e tij. Falë energjisë që mori nga miqtë që e mbështetën në shëtitjet e tij për të forcuar muskujt dhe mushkëritë e tij, Schwarzenegger u rikuperua në kohë për të marrë pjesë në xhirimet e “Terminator 6”.

Aktori Arnold Schwarzenegger në spital

Sot aktori duket më në formë se kurrë dhe gjatë një interviste për Hollywood Reporter tha se ka ndërmend të jetojë përgjithmonë: “Unë ende bëj ushtrime çdo ditë, ngas biçikletën dhe bëj filma” dhe shtoi se nuk ka ndërmend të dalë në pension.

Në fakt, ai vazhdon punën e tij mes kinemasë dhe TV: së fundmi ai ishte protagonist i serialit të Netflix “Fubar”, i publikuar majin e kaluar dhe në nëntor do të jetë në kinema me “Kung Fury” nga David Sandberg.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë