Futboll

Akti i fundit, Tirana për nderin, Flamurtari për Europën

Nga sot e deri të dielën luhen pesë ndeshjet e fundit të fazës së dytë të kampionatit të Superiores dhe njëkohësisht të vitit 2018. Zbresin në fushë të parët Kamza dhe Skënderbeu dhe më pas Tirana me Flamurtarin. Ndeshja e Kamzës ka rëndësinë e saj, pasi kampionët në fuqi po kalojnë një krizë rezultatesh prej tri javësh dhe kërkojnë kthesën në këtë transfertë mjaft të vështirë, ku vijnë me disa mungesa, mes tyre edhe Dejvi Bregu. Por kuptohet që gjithë vëmendjen e merr sfida e “Selman Stërmasit”.

Bardheblutë, të gjendur në zonën e rrezikshme të rënies nga kategoria, do të përpiqen ta mbyllin vitin 2018 me një fitore ngushëlluese, që do t’u jepte sadopak qetësi për të bërë korrigjimet e duhura në merkaton e dimrit. Nuk është se tri pikët do ta shpëtonin Tiranën e trajnerit Mema, por është një ndeshje prestigji dhe bardheblutë luajnë edhe për nderin e tyre. Ndeshjet me Flamurtarin kanë qenë gjithmonë me rivalitet dhe kështu pritet të ndodhë edhe sot.

Vlonjatët gëzojnë një formë të mirë dhe në kryeqytet me siguri do të synojnë fitoren e tretë radhazi, pas atyre në shtëpi me Laçin dhe Kamzën. Sulmi i Flamurtarit po bëhet gjithmonë edhe më i frikshëm dhe duke ditur që Tirana ka një mbrojtje shumë të brishtë, janë të gjitha shanset që skuadra e trajnerit Ilir Daja të marrë tri pikët dhe të forcojë pozitat e saj në zonën europiane.

Java e 18-të e Superiores vazhdon të shtunën me ndeshjen Teuta-Laçi, për t’u mbyllur ditën e diel me ndeshjet Luftëtari-Partizani dhe Kukësi-Kastrioti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë