Sociale

Aksioni për shembjen e godinave te ‘5 Maji’, banorët nuk kundërshtojnë

Gazeta Si - Shembja e banesave në zonën e “5 Majit” ka vijuar edhe këtë të martë, ku fadromat kanë prishur rreth 10 godina. Banorët ishin lajmëruar për të liruar shtëpitë, por kishte dhe nga ata që kundërshtuan, pasi sipas tyre aksioni i IMT po bëhet kundër ligjit.

Por pavarësisht kësaj, procesi ka vijuari qetë dhe banorët nuk kanë protestuar duke bllokuar rrugën apo zonën siç ndodhi një javë më parë, ku pati edhe përplasje me policinë.

Aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit këtë të martë edhe pse moti ka qenë i paqëndrueshëm dhe me reshje. Pronarët e banesave vijojnë ta cilësojnë të padrejtë aksionin. Ata theksojnë se po i shkatërrohet pasuria të cilën e kanë vënë përgjatë një jete.

Shembja e këtyre banesave vjen si pasojë e projektit të rindërtimit, ku në total preken 430 ndërtesa. Banesat që duhet të shemben ndodhen në hartën e projektit të Bashkisë së Tiranës, si “zonë në zhvillim” dhe parashikohet ndërtimi i pallateve ku do të strehohen familjet që u janë dëmtuar banesat nga tërmeti i vitit 2019.

Banorët protestuan edhe një ditë më parë, duke u grumbulluar në shtëpitë e tyre të shembura dhe vijuan me një marshim, që kulmoi me bllokimin e kryqëzimit pranë tregut të Medresesë për rreth 1 orë.

Banorët kanë protestuar që prej 19 janarit kundër shembjes, duke argumentuar se ka paqartësi për masën dhe periudhën e dëmshpërblimit.

Ata kanë bërë rezistencë, pasi sipas tyre shembja e banesave është kundër ligjit dhe se nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinë se ku të shkojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë