Ngjarje

Aksioni “pa norma” i IKMT-së që mund të na penalizojë

Shembja e restorantit të Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo mund t’i bashkohet morisë së vendime të Gjykatës së Strasburgut që penalizojnë taksapaguesit shqiptarë për shkelje të procedurave ligjore, shkelje të të drejtave të njeriut dhe ironikisht deri tek mosrespektim të pronës private të kryera nga Qeveria, pavarësisht se objekti ishte i ndërtuar pa leje.

Në një rast hipotetik, nëse Mihal Kokëdhima vendos t’i adresohet Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg, ndërhyrja që mbërriti pas incidentit dhe videos së famshme me turistët spanjollë mund të kthehet nga një penalizim për të, në një penalizim për të gjitha qytetarët taksapagues shqiptarë, ashtu si pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës, që u shemb në Vlorë, ndonëse për nga shifrat jo në të tilla përmasa.

Mes dy rasteve ka edhe një ndryshim tjetër. Pallati i shembur nga qeveria me tritol në vitin 2013 ishte i pajisur me leje ndërtimi, ndërkohë që restoranti “Panorma” i Mihal Kokëdhimës ishte në proces legalizimi. Por, kjo nuk do të thotë se në gjykimin e Strasburgut ndërhyrja me forcë e Inspektoriatit Kombëtar të Mjedisit dhe Territorit të mos vlerësohet si shkelje.

Burime nga ALUIZNI i Vlorës konfirmuan për Gazetën “Si” se restoranti i Mihal Kokëdhimës ishte në proces legalizimi. “Procesi u ndërpre pas një kërkese të IKMT-së”, thonë burimet, por pa përcaktuar kohën se kur mbërriti kjo kërkesë. Koha kur është bërë kjo kërkesë merr një rëndësi të madhe, pasi në praktikën e Strasburgut, lënia e një afati të arsyeshëm kohor që subjekti, të cilit do t’i prishet prona të mbrohet, ose të largojë orenditë e tij nga objekti është parim thelbësor.

A iu la nga IKMT koha e mjaftueshme Mihal Kokëdhimës? Burime të sigurta për Gazetën “Si” konfirmojnë se Inspektorati njoftoi familjarët që të zhvendosin të gjitha pajisjet dhe orenditë që kanë brenda restorantit vetëm pak orë para se fadromat të ndërhynin për të prishur objektin. Të afërmit e Kokëdhimës janë njoftuar rreth orës 21:00 të datës 20 gusht. Në orën 07:00 të datës 21 nisi prishja e objektit.

Pyetja që mund të ngrihet në Strasburg është nëse mjaftojnë kaq pak orë që iu la në dispozicion familjarëve për të zhvendosur investimin e viteve të tëra? Kjo është një shkelje që mund të vihet re nga gjykatat, por jo e vetmja. Procedura ligjore që duhej ndjekur është përcaktuar në vendimet e arsyetuara të Strasburgut për raste të ngjashme që kanë mbërritur nga Shqipëria. Në të gjitha rastet, gjykata pyet nëse janë respektuar plotësisht ligjet vendase.

A u respektuan në rastin e Mihal Kokëdhimës? Arben Malaj, si i vetmi politikan që ka reaguar, mendon se jo.

“Janë 5 hapa ligjore përpara prishjes. Hapi i parë, përgjigjia zyrtare për moslegalizim; hapi i dytë, privati ka të drejtë të ankohet në gjykatë; hapi i tretë, nëse gjykata vendos moslegalizim qeveria fiton të drejtën ta prish; hapi i katërt, IKMT lajmëron me shkrim për prishjen dhe i lë privatit një afat optimal ta spostoj, ose ta vetëprishi (objektin); hapi i pestë, vetëm pas kalimit të këtij afati IKMT ka bazën e plotë ligjore ta prishi”, shkruan Malaj në Facebook.

https://www.facebook.com/arben.malaj.35/posts/10156729966254075

Në të njëjtin postim, Malaj thekson se në gjashtë vite shumë zyrtarë të korruptuar nuk kanë vepruar, madje edhe kanë ngrëne e pirë në restorantin e Mihal Kokëdhimës. Sipas Malajt, shumë prej tyre as kanë guxuar që t’i kërkojnë lejen e ndërtimit, faturat, apo qoftë edhe taksat, pasi mbrohej nga lart.

Që Mihal Kokëdhima dhe krijesa e tij pa leje në Porto Palermo mbrohej nga persona të pushtetshëm e konfirmoi edhe kryetari i Bashkisë së Himarës, Jorgo Goro. Ai tha se në 2012 është paraqitur për ta prishur këtë objekt, që nuk kishte as leje ndërtimi dhe as paguante taksa, madje nuk ka qenë as në proces legalizimi. Pikërisht në këtë periudhë, Goro thotë se dikush ka ndërhyrë dhe objekti i Mihal Kokëdhimës është futur në proces legalizimi pavarësisht se ishte ndërtuar në një zonë ku legalizimi ishte i pamundur.

Edhe Artan Lame, ish-drejtori i ALUIZNI-t dhe aktualisht drejtor i Agjencisë së Kadastrës, që u themelua pas shkrirjes së hipotekës me zyrat e legalizimeve tha në një deklaratë për gazetën “MAPO” se nuk kishte asnjë mundësi që restoranti “Panorma” të legalizohej.

Këto deklarata ngrenë një pyetje e madhe se përse nuk u ndërhy më parë? Çfarë e pengoi ALUIZNI-n që nga 2012 e deri më 2019 të jepte një “Jo” përfundimtare për legalizimin e këtij objekti? Zvarritja e kësaj përgjigjeje ishte alibia e Mihal Kokëdhimës, që sa herë paraqiteshin fadromat për prishjen e restorantit të tij t’i kthente mbrapsht ato. Burime për Gazetën “Si” thonë se kjo ka ndodhur në të paktën katër raste që prej 2012.

Objekti u prish, por shembja e tij më shumë sesa funksionim të ligjit sipas parimit “ligji është i barabartë për të gjithë” është një shenjë force, që u zbatua vetëm pas bërjes virale të asaj videoje. Videoja nxorri të palarat e tjera të Mihal Kokëdhimës, që mashtronte klientët prej vitesh.

Nga përvojat e ndara nëpër forumet online të turistëve, “Panorma” kishte një vlerësim nën nivelin mesatar dhe rrëfimet ku tjetër gjë porositej dhe tjetër gjë të vinte në tavolinë ishin të shumë. Skema e Mihal Kokëdhimës ishte e thjeshtë; pavarësisht se sa peshk, apo verë kishe porositur ti, në tavolinë të vinte sa dëshironte ai (zakonisht më shumë) dhe ti ishe i detyruar ose ta paguaje, ose të bëje sherr me pronarin.

Spanjollët ishin “gozhda që ndali sharrën” e këtij e këtij mashtrimi, që nuk është ekskluzivitet i Mihal Kokëdhimës. Tani, çështja është se çfarë duhet të bëjë një turist, vendas apo i huaj kur përballet me të tilla situata? A duhet të qëndrojë me kamerën e telefonit hapur gjithë kohës, për të regjistruar çdo përvojë të papritur, për ta shpërndarë më pas në internet me shpresën që pamjet do të shndërrohen virale dhe do të vrasin sytë e qeveritarëve, duke detyruar këta të fundit që të ndërhyjnë për t’i zgjidhur hall?

Kush e zgjidh këtë konflikt mes klientit dhe pronarit? Policia nuk është për t’i dhënë zgjidhje përplasjes për çmimin, porosinë apo shërbimin. Ajo ndërhyn në rastet si skena e Porto Palermos. Atëherë ku duhet të drejtohet një klient në një situatë të tillë? Në Facebook-un e kryeministrit, i cili bën thirrje vetëm për denoncimet e abuzimeve? Por, a merret një kryeministër tjetër me çdo denoncim lagjeje, fshati apo qyteti dhe më pas vjen zgjidhja? Te ne në fakt kështu po ndodh. Çdo qytetar shpëtimin për hallin personal po e shikon përmes Facebook-ut, apo telefonit të kryeministrit.

Në fakt ngjarja e Porto Palermos ka prodhuar një debat më të gjerë. Shumë fajësojnë politikën për atë që është prodhuar në këto 3 dekada, me atë që ka ndodhur me pronat në bregdet, ndërtimet pa leje, legalizimet, apo edhe për atë se kush është lejuar dhe kush jo të menaxhojë këtë sektor, apo me mungesën e një strategjie të vërtetë zhvillimi.

Çdo qeveri e ka pasur prioritet turizmin, por në fakt problematika nuk ka marrë zgjidhje dhe Mihali nxorri në sipërfaqe atë që vlonte prej kohësh. Të gjithë po kërkojnë cilësi dhe shërbim, certifikim të njerëzve që punojnë dhe shërbejnë në sektorin e turizmit, kontroll dhe filtër për licencat e operatorëve që sjellin turistë të huaj në vend dhe i menaxhojnë ata brenda territorit.

Ekspertët thonë se me licencë janë të shumtë ata që nuk e meritojnë të jenë pjesë e kësaj industrie. Edhe qeveria premton se nga shtatori do të ndërmarrë ndryshime ligjore. Blendi Klosi që i çoi tufën me lule turistëve spanjollë pas incidentit me Kokëdhimën dhe i kërkoi ndjesë për atë që përjetuan, thotë se rregullat duhet të ndryshojnë.

Nuk mund të jenë më rregullat e para 5 vitesh, madje as ato të para një viti. Kjo pasi numri i turistëve të huaj sa vjen e rritet në vend dhe infrastruktura nuk lëviz, përveç asaj që investojnë individët, me vend dhe pa vend, me plan dhe pa plan. Qeveria thotë se do të propozojë që jo më çdokush të ofrojë gjithçka sa i përket turizmit. Në propozimet e para kërkohet që shërbimet të jenë të ndara. Ai që ka hotel të fokusohet në këtë drejtim dhe nuk mund të këtë edhe restorantin, barin, club-in e natës, sportet e ujit, udhëtimet me mjete lundruese, apo edhe guidat në tokë dhe det.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë