Ka ndodhur

Aksidenti tragjik me 4 të vdekur në Tepelenë, arrestohet drejtuesi i mjetit ‘BMW’

Gazeta Si- Një 46-vjeçar u arrestua në Gjirokastër, pasi dyshohet se drejtonte mjetin tip “BMW”, i cili u përfshi në aksidentin tragjik të mbrëmjes së të dielës ku mbetën të vdekur 4 persona.

Ngjarja tragjike ndodhi në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj dhe policia njofton se 46-vjeçari akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Si pasojë e aksidentit të rëndë, një prej drejtuesve të mjeteve ndërroi jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa tre persona të tjerë u dërguan me urgjencë në spital, por fatkeqësisht ndërruan jetë.

Në këtë aksident të rëndë kanë ndërruar jetë Riza Rapaj, drejtuesi i mjetit tip “Benz”, Ladi Bega, drejtuesi i mjetit “Toyota” dhe bashkëshortja e tij, Lefteri Bega, si dhe Afërdita Bega.

Gjithashtu, si pasojë e përplasjes së fortë të tre mjeteve, mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve është Andi Shkurta, i cili mban pozicionin e drejtorit të ARRSH-së në Gjirokastër. Dy të plagosurit ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

“Në vijim të veprimeve procedurale për aksidentin e ndodhur pasditen e djeshme, në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, si pasojë e të cilit humbën jetën 4 shtetas dhe u dëmtuan rëndë 2 të tjerë, specialistët për Trafikun Urban dhe Interurban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit tip “BMW” të përfshirë në këtë aksident, shtetasin E. P., 46 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë