Ngjarje

Aksidenti në Shkodër, të afërmit e Suardit: Nëna po lufton me jetën, djalit iu pre jeta në lule të moshës

“Ky është Suardi! E them është, sepse s'ma zë goja të them ishte, por në fakt sot nuk është më… Sepse dikush i mori jetën teksa udhëtonte me motor me të ëmën Lidën, e cila dhe ajo po lufton me jetën, mbase pa e ditur se çfarë i ka ndodhur të vetmit bir të saj”. Kështu shkruan në profilin e saj në Facebook, Bona Mulaj, e njohura e familjes Milani që të mërkurën i dhanë lamtumirën e fundit djalit të vogël të shtëpisë, Suardit 21-vjeçar.

Suard Milani

Në aksidentin e ndodhur në fshatin Hot i Ri të ndodhur më 14 maj, 2 familjarët u përplasën nga një automjet, teksa po udhëtonin me motor. Ndërkohë policia nuk ka bërë asnjë njoftim për aksidentin.
E kontaktuar nga Gazeta “Si”, Bona thotë se e njeh djalin e ndjerë që kur ishte 12-vjeç, kur ajo punonte me nënën e tij, Lidën, në një nga rrobaqepsitë e Shkodrës.
“Me nënën e të ndjerit kam punuar 8 vite më parë, në rrobaqepsi. Unë jetoj në Shkodër ndërsa ajo vinte nga Postriba, fshati Milan”, thotë ajo.
“Ishim moshatare dhe e kujtoj Suardin kur vinte nganjëherë me të ëmën në qytet. Ishte e lidhur shumë me fëmijët. Më ka trishtuar shumë humbja e jetës së djalit të saj”, shprehet Bona.
E njohura e familjes thotë se edhe Lida është në gjendje të rëndë për jetën. Sipas saj, gjendja e keqe ekonomike e detyronte gruan e re të punonte në qytet, në rrobaqepsi, bashkë me dy vajzat pa mbushur 18 vjeç. E bashkë me to vinte edhe djali.
“Më vonë, pasi u largova nga ajo punë, mësova se Suardi përcillte me motor të ëmën deri te rruga ku i merrte furgoni për punë e po ashtu e priste për ta kthyer në shtëpi.
“Ndoshta këtë po bënte dhe atë ditë kur një makinë i përplasi për të shenjuar tragjedinë në familjen Milani në Postribë”, thotë Bona për Gazetën “Si”.
E afërmja e familjes së Suardit thotë se aksidenti ndodhi në një rrugë të drejtë, por ku si në shumë ngjarje të ditëve të fundit, papërgjegjshmëria e drejtuesve të mjeteve u ka shkaktuar dhimbje shumë familjeve, ndër të tjera dhe familjes në fshatin Milan.
Bona thotë se një tjetër jetë rrezikon të humbë nga ky aksident, mikja e saj Lida dhe dhimbja i shtohet dyfish.
“Nuk kam parë grua më të sakrificës se Lida, nëna e Suardit të ndjerë. Kaq shumë punonte dhe sa shumë kujdesej për vajzat e saj që punonin në fasoneri në moshë të njomë. Kishte merak për to dhe vinte shpesh i shihte në repartet ku punonin. Sot ato janë martuar dhe e kanë bërë gjyshe por fatkeqësisht asaj familjeje iu pre gazi bash në kohën kur duhet të gëzonin sepse fëmijët kishin shkuar në jetën e tyre”, tregon gruaja me zë të dridhur nga dhimbja prej ngjarjes së rëndë.
Ajo thotë se Suardin e ka dashur fort dhe më vonë nga Facebook i përcillte të falat e nënës së tij dhe motrave.
Në fund gruaja ka një apel për drejtuesit e automjeteve:
“Një thirrje për këdo që nget një makinë, sot që sa hapim ekranet vetëm aksidente shohim.
Ngadalësoni shpejtësinë o njerëz. Vetëm një çast, e këputni në mes jetën e dikujt që i vetmi faj i tij ishte që u ndodh në rrugen që ty të duket pistë garash”!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë