Ngjarje

Aksidenti në Fier, polumbarët e RENEA-s rinisin kërkimet për 26-vjeçarin e zhdukur

Gazeta Si - Pas ndërprerjes së djeshme, në Urën e Mbrostarit në Fier kanë nisur kërkimet për gjetjen e 26-vjeçarit Meteo Lika.

Një grup polumbarësh po kërkon në pjesë të tjera të rrjedhës të lumit Seman, ndërsa kanë nisur kërkimet edhe me magnet.

Ende nuk ka asnjë të dhënë nëse automjeti është në ujërat e lumit Seman apo pas përplasjes me parmakët e urës është larguar që aty.

Ta dyja pistat vazhdojnë ende të jenë nën hetimin e bluve të Fierit, ndërsa kontrollet do të vijnë si në ujërat e lumit Seman ashtu edhe në zonat përreth, me shpresën për të gjetur automjetin.

Të dielën për më shumë se 4 orë polumbarët e forcave RENEA kërkuan në ujërat e lumit, por nuk arritën të gjenin automjetin, apo shenja të mjaftueshme për të çuar në prova konkrete se makina ka rënë në ujë.

Mëngjesin e së dielës në Urën e Mbrostarit u konstatuan të thyer parmakët anësorë të të njërit krah ure.

Për të mundësuar kërkime më të plota u kërkua mbyllja e portave të Gramshit, që sjellin edhe uljen e prurjeve në lumin Seman.

Telefoni i 26-vjeçarit vijon të jetë i fikur dhe vendnodhja e tij dhe automjetit të marrë me qira bëhet edhe më i vështirë.

Makina nuk ka qenë e pajisur me gps, ndërsa nga kamerat e sigurisë nuk arrihet të identifikohet qartë lëvizja e 26-vjeçarit.

Fakti që deri më tani nuk është bërë asnjë denoncim tjetër, çon që të mendohet se i riu ka udhëtuar i vetëm.

Ndërkohë, familjarët e 26-vjeçarit kanë denoncuar në polici zhdukjen e tij pasi që prej mëngjesit të djeshëm të orës 04:00 nuk kanë asnjë informacion për djalin e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë