Ngjarje

Aksidenti me 4 viktima shqiptare në Itali, drejtuesi ishte i droguar dhe i dehur

Gazeta Si - Katër ditë pas tragjedisë ku një familje shqiptare u shua në një aksident tragjik në Itali, rezulton se drejtuesi i mjetit Orjol Lame ishte i dehur dhe i droguar.

Testet toksikologjike kanë zbuluar se 32-vjeçari, i cili i jepte makinës mbrëmjen e 30 tetorit ishte nën efektin e substancave të ndaluara.

Në mjet ndodhej gruaja e tij, 22-vjeçarja Shane Hyseni, djali i tyre, Mattias Lame, 2 vjeç dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, Resat dhe Rejana Hyseni, 11 e 8 vjeç.

Të katërt ndërruan jetë menjëherë si pasojë e përplasjes me një shtëpi të pabanuar.

I vetmi që shpëtoi ishte 32-vjeçari Lame, i cili që prej të dielës ndodhet në reaminacion në gjendje të rëndë shëndetësore.

Mediat italiane raportojnë se mostrat tashmë do të dërgohen në institutin toksikologjik të Modenës për të verifikuar gjithçka.

Nëse edhe aty do të konfirmohen rezultatet, ato do të dërgohen në gjyq si prova kundër 32-vjeçarit, pozitat e të cilit tashmë përkeqësohen akoma më shumë.

Siç u konfirmua të martën, Prokuroria në Rexhio Emilia ka nisur hetimet për vrasje në rrugë.

Hetuesit kanë konstatuar se makina ka qenë e pa kontrolluar dhe pa sigurim. Po ashtu, ajo ishte e regjistruar në emër të një personi, i cili ka ndërruar jetë gjatë këtij viti.

Një ndër hipotezat që kanë hetuesit, është ajo e blerjes së mjetit në të zezë. Hetimet janë fokusuar edhe tek e shkuara e Orjol Lames, i cili ka precedentë penalë dy vite më parë.

Sipas hetimeve të policisë, automjeti ka lëvizur me shpejtësi shumë të madhe. Matësi në kilometrazh tregonte 220 kilometra në orë, pra maksimumin, por ata nuk janë të bindur për shkak se mjeti është shkatërruar.

Sipas hetuesve, është e vështirë që të përcaktohet me siguri shpejtësia e mjetit, duke parë se ai ishte e një marke të vjetër (“Fiat Stilo”).

Por sipas tyre është e sigurt që ka qenë me mbi 100 kilometra në orë. Kjo sipas tyre kuptohet edhe nga dëmi që ka shkaktuar në murin e shtëpisë, fatmirësisht e pabanuar.

Atë mbrëmje, Shane dhe Orjoli kishin shkuar për të ngrënë sushi në restorant; me ta ishte fëmija i saj i porsalindur dhe vëllezërit e motrat e saj.

Pasi mbaruan, duhej t'i shoqëronin të vegjlit në Casaltone, një fshat i Parmës, ku jetonin me babain e tyre Ardianin dhe Anjezën.

Pastaj do të duhej të shkonin në shtëpi, në Cade, ku jetonin së bashku. Por, për fat të keq, epilogu ishte një tjetër, aq tragjik sa as që mund të imagjinohej. Dy familje të shkatërruara nga vdekja dhe dhimbja.

Sot të katër trupat do të nisen për në Shqipëri, për në Durrës – qytetin e origjinës së familjes – ku varrimi do të bëhet me rit islamik.

Ndërsa në vendngjarje, vijon kortezhi me familjarë, të afërm, miq apo qytetarë të thjeshtë, të cilët duan të lënë një mendim në kujtim të katër viktimave shumë të reja. Lule, mesazhe, qirinj, arushë pelushi dhe kukulla.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë