Ngjarje

Aksident tragjik në Fushë-Prezë, humbin jetën 4 të rinj. Mjeti i tyre përplaset me betonieren dhe u shkrumbua

Gazeta Si – Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth mesnatës në Fushë-Prezë ku për pasojë kanë humbur jetën 4 të rinj, mjeti i të cilëve ka përplasur nga pas një betoniere dhe ka shpërthyer menjëherë në flakë, duke u shkrumbuar.

Ngjarja tragjike ka ndodhur pak para mesnatës dhe sipas policisë, të rinjtë e moshës 20-25 vjeç (Enejd Laçi, Erildi Laçi vëllezër, Enrikejd Kurti dhe Andi Laçi), janë djegur brenda.

Shkaku kryesor, dyshohet të ketë qenë shpejtësia e lartë e automjetit që ndodheshin katër të rinjtë. Sipas burimeve, makina ka qenë me benzinë dhe imipiant gazi dhe kjo ka qenë arsyeja që ka marrë flakë. Madje nuk përjashtohet mundësia që mund të ketë pasur edhe shpërthim të bombulës së gazit.

Makina drejtohej nga 25-vjeçari Enejd Laçi dhe është përplasur me betonierën, ku si pasojë ka shpërthyer në flakë. Në pamundësi për të dalë nga makina asnjë nga të rinjtë nuk ka mundur t’i mbijetojë flakëve.

Ndërsa drejtuesi i betonieres 24-vjeçari Aleksandër Krrashi është larguar menjëherë nga vendngjarja, por policia arriti ta arrestonte pak momente më vonë për ta shoqëruar në komisariat ku po kryhen veprimet e mëtejshme.

Gjithnjë sipas burimeve praprake, pranë vendit të aksidentit, në afërsi të një karburanti, ndodhet një biznes në anën e Rinasit që prodhon beton.

Betonierja, pasi ishte mbushur, ka dalë në rrugë dhe është nisur në drejtim të Fushë Krujës. Nuk ka lëvizur më shumë se 20 metra kur ka ndodhur përplasja fatale.

Makina me 4 të rinjtë ka ardhur me shpejtësi shumë të lart nga ana e Vorës dhe e ka goditur nga prapa betonieren, me mjetin që ka shpërthyer në flakë, pasi ka qenë me gaz-benzinë.

“Nga hetimet e kryera me qëllim zbardhjen e ngjarjes rezultoi se automjeti drejtohej nga shtetasi E. L., 25 vjeç dhe dyshohet se është përplasur me automjetin betoniere të drejtuar nga shtetasi Aleksandër Krrashi, 24 vjeç, i cili pas aksidentit ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Si pasojë e përplasjes dhe përfshirjes së automjetit nga flakët kanë ndërruar jetë drejtuesi i automjetit Enejd Laçi., 25 vjeç dhe 3 pasagjerët në mjetin e tij , Erild Laçi, 20 vjeç, Enrikejd Kurti, 24 vjeç dhe Andi Laçi, 22 vjeç. Në vijim të veprimeve u shoqërua për veprime të mëtejshme drejtuesi i automjetit betoniere shtetasi, 24 vjeç”, – njofton policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë