Ngjarje

Aksident tragjik me helikopter, humb jetën Kobi Brajant

Një aksident tragjik i ka marrë jetën ish-basketbollistit të famshëm amerikan, Kobi Brajant. Ai ishte duke udhëtuar me helikopter bashkë me tre persona të tjerë, por mjeti fluturues është rrëzuar në tokë dhe më pas ka marrë flakë, duke mos u dhënë asnjë mundësi shpëtimi atyre që kishte në bord.

Kobi Brajant, 41 vjeç, një nga yjet e basketbollit amerikan, ka bërë historinë në sportin më popullor në Amerikë. Ai ka luajtur për shumë vite për Los Anxhelos Lejkërs, duke fituar tituj dhe ka qenë një ndër sportistët më të famshëm në gjithë botën. Aksidenti ka ndodhur në Kaliforni. Sipas lajmeve të para të shtypit amerikan, Brajant ishte në bordin e një helikopteri privat, të paktën me tre persona të tjerë, përveç pilotit.

Të gjithë personat në bord kanë ndërruar jetë, pasi helikopteri ka shpërthyer në flakë dhe ndërhyrja në ato momente ka qenë e kotë. Është mësuar bashkëshortja e ish-basketbollistit, Vanesa, nuk ka qenë në helikopter. Pritet të mësohen të tjera detaje në lidhje me këtë aksident tragjik.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë