Ka ndodhur

Aksident i rëndë në aksin Lezhë-Laç, ndërron jetë 65-vjeçari francez. Arrestohet i riu

Gazeta Si- Një 65-vjeçar francez ka humbur jetën sot në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të pësuara në një aksident rrugor në aksin Lezhë-Laç.

Aksidenti ku u përfshinë dy automjete, ndodhi mbrëmjen e të enjtes, ndërsa i plagosur mbeti edhe një shtetas turk.

Të plagosurit u dërguan në spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë më të specializuar, por francezi nuk mbijetoi.

Dyshohet se shkak për përplasjen e dy makinave ka qenë një parakalim i gabuar.

Në lidhje me ngjarjen, policia tha se është arrestuar shoferi i makinës tjetër, një 23-vjeçar nga Fushë Kuqe, i cili fillimisht u largua nga vendi i ngjarjes.

“Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin: S. Ç., 23 vjeç, banues në Fushë Kuqe, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi dyshohet se më datë 14.03.2024, rreth orës 22:30, në kryqëzimin e fshatit Spiten, me automjetin tip “Mercedes-Benz” që drejtonte, ka aksidentuar automjetin me drejtues shtetasin francez A. P., 65 vjeç, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit”, njoftoi policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë