Teater

Ajka e humorit shkodran vë në skenë ‘Big Brother VIP Shkodra 2′, komedia ka shikueshmëri rekord

Nga Gazeta Si - “Big Brother Vip” është rikthyer në Shkodër, por jo siç jemi mësuar ta shohim si një “Reality Show”, por në skenën e Teatrit Migjeni.

Komedia “Big Brother VIP Shkodra 2” ka ngjitur në skenë humoristët shkodranë të cilët imitojnë banorët e vërtetë.

Me skenar dhe regji të Arian Çuliqi janë rikthyer në skenë mjeshtrat e mëdhenj si Zyliha Miloti, Drande Xhaj dhe Besnik Çinari.

E krijuar para një dekade vepra trajton me nota humori fenomenet sociale, duke ndërthurur ironinë me art.

Për regjisorin Çuliqi, kjo komedi e cila i ka fillesat që 11 vite më parë, bën bashkë shumë forma të artit për të argëtuar publikun.

“Kjo është një komedi alternative ku gërshetohet dialogu, pantomima muzika dhe videoklipet në formën e filmave të shkurtër. Ideja për këtë komedi ka lindur prej kohësh dhe ka si synim parodizimin e formatit të Big Brother real, duke ironizuar fenomenet negative të shoqërisë sonë”, shprehet regjisori Çuliqi për Gazetën Si.

Regjisori Arian Çuliqi

Nisur nga popullariteti i formatit Big Brother, ku jetesa e disa personazheve publikë në shtëpinë e “Big Brother Albania Vip 2”, ka përfshirë një popull të tërë, Çuliqi thotë se edhe formati humoristik i këtij show është mjaft i prekshëm për publikun.

“Kjo komedi është shumë e prekshme për publikun, i cili ka treguar një interes të jashtëzakonshëm për pjesëmarrjen në këtë komedi sepse e sheh veten të përfshirë në këtë Big Brother të madh”, vijon Culiqi, ndërsa shton se “kjo komedi ka një shikueshmëri rekord”.

Komedia vjen nën interpretimin e akrtorëve të rinj si: Fritz Selmani, Savjana Vjerdha, Ketlin Pjalmi, Gerti Palali, Nikolin Ferketa, Aleksander Prenga, Lusi Bregu dhe Arber Bala.

Sipas regjisorit gjëja që bie në sy në këtë komedi është loja e mrekullueshme e aktorëve të rinj ku veçon Fritz Selmanin në rolin e Luizotit (Luizit).

“Në role të tjera të mrekullueshme vijnë edhe Ketlin Pjalmi në rolin e Laurës (Kiara), Aleksandër Prenga në rolin e Kiçit (Kristit), Nikolin Ferketa në rolin e Maestros, etj.”.

Për regjisorin Çuliqi, qershia mbi tortë e kësaj shfaqjeje është rikthimi i humoristes së madhe, Zyliha Miloti e cila në moshën 77-vjeçare është në rolin e Diolës.

“Ikona e skenës dhe e kinematografisë shqiptare, Zyliha Miloti priti ftesën time me shumë kënaqësi. Me interpretimin e saj brilant në rolin e Triolës dhe përkrah aktorëve dhe mjeshtrave të skenës si Besnik Çinari dhe Drande Xhaj, ajo ishte qershia mbi tortë e shfaqjes”, thotë ndër të tjera Çuliqi.

Komedia nuk ka si synim lartësimin e formatit apo të jetë një kritikë për këtë fenomen social, por të argëtojë publikun përmes roleve dhe karaktereve të krijuara.

“Është një komedi e mbushur me mesazhe, por nuk ka mesazh të mirëfilltë nga fillimi deri në fund se është bërë me këtë qëllim, as për ta ngritur si format as për ta ulur. Nëpërmjet këtij formati hidhen shumë mesazhe për të cilat rinia jonë ka nevojë. Është thjesht argëtues. Gjetja është formati, por nuk merrem me formatin, merrem me njerëz që fjalën VIP nuk e dinë çfarë është dhe i thonë vetes VIP”, shprehet Çuliqi.

“Big Brother Vip Shkodra” ka filluar në datë 17 mars dhe do të vijë në skenë për disa net radhazi, kjo falë kërkesës së madhe të publikut për këtë komedi.

“Biletat janë shitur 5 ditë përpara duke u prenotuar e gjithë java e parë e shfaqjeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë