Lajme

“Air Albania” largoi amerikanët nga Shqipëria

Stambolli ishte aeroporti i fundit që mbylli fluturimet komerciale me Shqipërinë dhe me këtë vendim të autoriteteve turke, Ambasada Amerikane njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se po punonte për gjetjen e rrugëve alternative për shtetasit amerikanë që dëshironin të largoheshin nga vendi ynë.

Ambasada nuk dha më shumë hollësi dhe nuk përmendi emër kompanie, fluturimi dhe as destinacioni, por vendosi datën 1 prill thirrjen e fundit për të gjithë shtetasit amerikanë që donin të largoheshin.

Misioni është përmbushur me anë të “Air Albania”. Ambasada e zbuloi vetë këtë të mërkurë po përmes rrjeteve sociale, duke falenderuar kompaninë dhe Qeverinë shqiptare për largimin e 64 shtetasve amerikanë.

Pra, shtetasit amerikanë janë larguar nga Shqipëria duke shfrytëzuar fluturimet e posaçme të kompanisë “Air Albania” në Europë për të marrë shtetasit shqiptarë që kanë mbetur të bllokuar pas mbylljes së kufijve.

Këto fluturime nuk u shfrytëzuan vetëm nga amerikanët. Edhe shtetas gjermanë u larguan nga Shqipëria përmes “Lasgushit”.

“Falënderojmë qeverinë shqiptare për ndihmën në riatdhesimin e turistëve gjermanë të bllokuar në Shqipëri. Një fluturim i Air Albania u nis dje drejt Memmingen. Shumë faleminderit!”, deklaroi Ambasada Gjermane më 30 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë