Lexo me "Si"

Ai çasti kur duhet t’i thuash burrit “Po” poshtë një hixhabi

...Në mëngjes, Mariamit (15 vjeç) i dhanë një fustan jeshil me mëngë të gjata, që ta mbante sipër një palë pantallonave të bardha prej pambuku. Afsuni (një nga gratë e babait të saj) i dha një hijab jeshil dhe një palë sandale që kombinonin me të. 

Ata e çuan tek dhoma me tryezën e gjatë bojëkafe, veçse tani në tryezë ishte një kupë me gurabije me bajame të sheqerosura, një Kuran, një vello jeshile dhe një pasqyrë.

Dy burra që Mariami nuk i kishte parë kurrë më parë, - dëshmitarët mendoi,- dhe një mullah që nuk e njihte i gjen të ulur në tryezë

Xhalili (i ati) i tregoi karrigen ku të ulej...

Mullahu bëri me shenjë nga velloja dhe Nargisi (gruaja tjetër e babait) e rregulloi atë mbi kokën e Mariamit, para se të ulej.

Mariami e kishte drejtuar shikimin poshtë, tek duart.

Mund ta thërrisni tani, - tha Xhalili

Para se ta shihte, Mariami ndjeu erën e tij; aromë e rëndë dhe e ëmbël kolonje - jo e këndshme si e Xhalilit përzier me tym duhani. 

Mariami ndjeu në hundë atë erë të mprehtë dhe mbytëse. Nëpërmjet velit me cep të syrit, ajo pa një burrë të gjatë (tek te 40-tat) me bel të trashë, e shpatulla të gjera, që u shfaq kokëulur tek dera. Përmasat e trupit të tij gati e lanë pa frymë dhe iu desh të shkëpuste vështrimin andej, me zemrën që i rrihte furishëm…

Mullahu i uroi mirëseardhjen dhe tha se kjo nuk do të ishte një nikka tradicionale

Mesa kuptoj Rashid agha ka prerë biletat e autobusit për në Kabul, që niset për pak. Prandaj, në varësi të kohës, ne do të anashkalojmë disa hapa tradicionale, për të përshpejtuar procedurat

Mullahu dha disa bekime dhe tha një dy fjalë për rëndësinë e martesës. 

Ai e pyeti Xhalilin në kishte kundërshti lidhur me këtë martesë, dhe Xhalili tundi kokën. Pastaj Mullahu pyeti Rashidin nëse ishte i sigurt që donte të lidhej me kontratë martesore me Mariamin. Rashidi tha “po”. 

Zëri i tij i fortë i ngjirur i kujtonte Mariamit zhurmën e gjetheve të thata të vjeshtës kur shkërmoqen nën këmbë 

-Po ti, Mariam xho, e pranon këtë burrë si burrin tënd?

Mariami heshti

-Pranon, - u dëgjua një zë femre nga fundi i tryezës

-Në fakt, tha mullahu, - duhet të përgjigjet ajo vetë. Dhe duhet të presë derisa sa ta pyes tre herë. Ai e bëri pyetjen edhe dy herë të tjera. 

Kur Mariami nuk dha përgjigje, ai e bëri pyetjen edhe një herë, këtë herë me zë të lartë. Mariami e ndiente se Xhelili në karrigen pranë saj nuk e zinte vendi, ndiente këmbët që kryqëzoheshin dhe kryqëzoheshin poshtë tryezës. Pastaj pati më shumë pastrime fyti. Një dorë e vogël dhe e bardhë u zgjat dhe shkundi një çikëz pluhur nga tryeza.

-Mariam, - pëshpëriti Xhalili

-Po, - u përgjigj ajo duke u dridhur. 

I futën një pasqyrë poshtë vellos. Aty Mariami pa në fillim fytyrën e saj…

Në pasqyrë Mariami pa për herë të parë, Rashidin, fytyrën e madhe katrore, kuqaloshe, hundën me samar, faqet e skuqura që të jepnin përshtypjen e gëzimit tinëzar, sytë e ujshëm dhe të kuq, stërdhëmbëshat, vijën e flokëve që fillonte shumë poshtë, as dy gishta mbi vetullat leshatore, murin e flokëve të dendur, të ashpër dhe të thinjur

Vështrimet e tyre u takuan për një çast dhe pastaj rrëshqitën

-Kjo është fytyra e burrit tim”, mendoi Mariami

Ata shkëmbyen rrathët e hollë të florinjtë; që Rashidi i nxori nga xhepi i palltos.

Thonjtë i kishte të verdhë në të kafe, si e brendshmja e një molle të prishur, dhe majat e disave prej tyre ishin përdredhur e ngritur lart. Duart e Mariamit u drodhën ndërsa përpiqej të fuste unazën në gishtin e tij dhe Rashidit iu desh ta ndihmonte. 

Unaza e saj qe paksa e ngushtë, por Rashidi  nuk e pati problem t’ia shtynte me forcë.

Ja ku hyri, tha ai...

-Është unazë  e bukur, - foli një nga gratë, - e këndshme Mariam

-Gjithë ç’mbetet tani është nënshkrimi i kontratës,- tha mullahu

Mariami nënshkroi emrin e saj përsëri - e ndërgjegjshme së të gjithë sytë ishin ngulur tek dora e saj

Herën tjetër që do të nënshkruante një dokument, njëzet e shtatë vjet më vonë, një mullah do të ishte edhe njëherë i pranishëm

-Tani ju jeni burrë e grua, - tha mullahu, - Tabrik. Urime    

(Marrë nga libri “Një mijë Diej Vezullues” me autor; Khaled Hosseini)  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë