Shendet

Aget rrisin me 20% koston e vaksinës së Pfizer dhe ka mungesë në treg

Shumë vende të Europës po ankohen për mungesë të furnizimi me dozat të vaksinës anti-Covid nga ana e kompanisë Pfizer, madje mjaft prej tyre kanë kërcënuar kompaninë me padi për mosrespektimin e kontratave të nënshkruara.

Por, ky nuk është rasti i Francës…të paktën në një spital të Kanës. Këtu problem nuk janë më shumë sasia e dozave, por mjetet e injektimit të tyre. Laurent Fignon, mjek në Spitalin e Kanës thotë se prej disa ditësh i duket sikur ka hedhur ruletën ruse për pacientët që vaksinon, që janë të moshuar dhe stafi mjekësor.

Në një rrëfim për Reuters, ai thotë se ka pasur mungesa të gjilpërave dhe shiringave të përmasave të duhura, siç është përcaktuar në rregullatorin shëndetësor të Bashkimit Europian.

“Problemi është se këto vaksina kërkojnë age të holla mjaftueshëm dhe të gjata po mjaftueshëm që të injektojnë dozën e vaksinës në muskulin e shpatullës së pacientit”, thotë Fignon.

Spitali ku ai punon si mjek u pajis me age dhe shiringa nga autoritetet shëndetësore shtetërore të Francës, por që ishin më të shkurtra se shiringat e autorizuara nga BE.

“Për ne është si një ruletë ruse! Nuk e dimë çfarë të presim”, thotë Fignon.

Probleme të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera të Europës, që ndërlikojnë edhe më shumë përpjekjet për një fushatë vaksinimi masive edhe pas lajmeve të Pfizer dhe AstraZenecas, që thanë se nuk mund të plotësojnë kërkesat e Bashkimit Europian për vaksina ashtu siç është rënë dakord fillimisht.

Pfizer ka njoftuar se synon që të prodhojë dy miliardë doza brenda këtij viti. Paketimi i tyre bëhet përmes në grupime me nga gjashtë doza në një cilindër qelqi, që ruhet në temperaturat e përcaktuara nga kompania.

Për nxjerren e secilës dozë nevojitet një agë. Kjo do të thotë se për dy miliardë dozat nevojiten po kaq age dhe shiringa. Kjo, sipas ekspertëve rrit me 20 për qind koston e vaksinës. Një tjetër shqetësim është ngritur nga ana e ambientalistëve, që thonë se kaq sasi kaq të mëdha agesh e shiringash të prodhuara në një kohë kaq të shkurtër mund të shkaktojnë një katastrofë mjedisore globale.

Burimi: Reuters. Përshtati në shqip, Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë