Gazeta Si – Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga avokatët e Sali Berishës për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi për njëanshmëri nga shqyrtimi i çështjes së aferës “Partizani”, për të cilën ish-kryeministri është nën hetim me masën “detyrim paraqitje”.
Vendimi u dha nga gjyqtarja Etleva Deda, e cila nuk gjeti shkaqe të përligjura mbi kërkesat e avokatëve. Seanca paraprake e radhës për dosjen “Partizani” do të zhvillohet me 5 maj, ku gjyqtarja Davidhi pritet të vendosë kalimin ose jo për gjykim.
Në fakt, Flojera Davidhi është gjyqtarja e Apelit të Posaçëm, e cila tetorin e vitit të shkuar vendosi të lirojë Sali Berishën nga masa e “arrestit shtëpiak” në “detyrim paraqitje”, ndërsa tani avokatët e ish-kryeministrit kërkojnë përjashtimin e saj nga çështja për njëanshmëri.
Më herët, avokatët e Berishës kanë bërë kundërshtimet e tyre, duke thënë se dosja e ngritur nga SPAK nuk ka fakt penal dhe se provat e grumbulluara nga hetuesit janë të pavlefshme.
“Paraprakisht gjykata caktoi një datë, duke konsideruar faktin dhe për të mos u vonuar nëse do të rrëzohet kërkesa jonë, jemi të detyruar të vijojmë me gjyqtaren Davidhi. Seanca është në datën 5 maj në orën 11:30”, tha avokati i Berishës, Genc Gjokutaj para disa ditësh.
Në lidhje me këtë çështje, Sali Berisha akuzohet për “korrupsion pasiv”. Jamarbër Malltezi e Fatmir Bektashi akuzohen për korrupsion e pastrim parash ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Xhimi Begeja e Andia Pustina vetëm për pastrim parash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.