Drejtësia

Afera ‘Partizani’, Apeli i Posaçëm lë në fuqi masat e sigurisë për Berishën dhe Malltezin. Avokati Gjokutaj: Mandati i ish-kryeministrit, i pacenuar ligjërisht

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryetarin e PD-së, Sali Berisha dhe dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, nën hetim për aferën e privatizimit të klubit sportiv "Partizani".

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 18.06.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 130 akti, datë 11.06.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues S.B. dhe J.M., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Apeli.

Genc Gjokutaj, avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se kjo që po ndodh është një estradë juridike. Sipas tij SPAK e ka zhvendosur fokusin e hetimit në nivele teknike dhe financiare që nuk kanë lidhje me procedimin.

Në një deklaratë për mediat, avokati tha se kjo është në kundërshtim me kushtetutën. “Berishës mandatin ia ka dhënë populli dhe nuk mungon në Kuvend për shkak të dëshirës së tij, pra pa arsye. Ne kemi bërë kërkesë në gjykatë, SPAK, Apel e Gjykatën e Lartë dhe ata kanë vendosur në kundërshtim me kushtetutën dhe praktikën e tyre. Kemi raste të arrestuarish që kanë shkuar në Kuvend dhe kanë votuar. Nuk është për faj të tij, kështu që mandati i tij mbetet i pacenuar ligjërisht”.

Sa i takon vendimit të sotëm, Gjokutaj theksoi se SPAK ka zhvendosur fokusin e hetimit në probleme teknike e financiare që nuk kanë lidhje me procedimin dhe korrupsionin për të cilin është regjistruar kjo çështje.

“Gjykata miratoi vendimin e shkallës së parë. Por çfarë po bën SPAK-u kjo është pjesa më shqetësuese e këtij procesi ligjor që e ka zhvendosur fokuson e hetimit në probleme të nivelit teknik e financiar që nuk kanë lidhje me procedimin dhe korrupsionin për të cilin është regjistruar kjo çështje”.

Gjokutaj theksoi se “do të vazhdojmë rrugën tonë se ne nuk arrijmë të kuptojmë sesi kryhen veprime jashtë funksionit dhe qëllimit të çështjes. Ata po bëjnë akt ekspertim kontabël për të parë llogaritë dhe lëvizjet e parave. Nuk ka problem as midis bashkëpronarëve, as midis shitësve dhe blerësve. Nuk ka element të tillë. Problemi është që një akt ekspertimi kontabël nuk bëhet pas 3 vjetëve e gjysmë hetimi, por menjëherë se nëse ka lëvizje të shumave që nuk korrespondojnë me kostot reale atëherë për çfarë flitet? Afatet e hetimi i ka përcaktuar ligji, këta janë duke i shtyrë. Berisha është duke qëndruar në paraburgim, ndërkohë që po kryhen veprime që nuk kanë lidhje me veprën penale të korrupsionit. Hajde shpjegojeni ju dhe unë se ç’është kjo estradë juridike që këta po zhvillojnë”.

Ish-kryeministri Berisha ndodhet në masë "arresti në shtëpi" që prej dhjetorit 2023, me dyshimet se bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi janë përfshirë në korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Ai po hetohet për korrupsion, pasi ka dyshime se ka favorizuar duke nxjerrë akte nën ligjore për t’i ardhur në ndihmë dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi që përfaqësonte familjet e disa ish-pronarëve që përfituan më pas pronën në ish-kompleksin "Partizani", por në kundërshtim me ligjin.

Akuzat e SPAK, janë kundërshtuar nga Berisha dhe Malltezi, të cilët pretendojnë se nuk e kanë shkelur ligjin, duke konsideruar hetimin si me motivacion politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë