Kosova

Aeroporti i Shkupit pas incidentit me Osmanin: Kemi obligim ligjor t’i kontrollojmë të gjithë pasagjerët

Mbrëmjen e së enjtes u raportua në lidhje me një incident i cili ndodhi me presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, në Aeroportin e Shkupit.

Sigurimi i aeroportit (TAV) i kishte kërkuar asaj telefonin dhe çantën ndërkohë që kjo e fundit kishte refuzuar që t’i jepte.

Pas kësaj ngjarje kanë reaguar Ministria e Brendshme maqedonase dhe Ministria e Jashtme e Kosovës.

Ditën e sotme ka ardhur edhe reagimi i Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

Në këtë reagim thuhet se secili pasagjer duhet të kontrollohet pasi punonjësit e kanë obligim ligjor që ta bëjnë, ndonëse aty nuk përmendet fare emri i drejtueses së shtetit të Kosovës.

“Prandaj, Departamenti i Sigurisë i TAV Maqedoni, në kuadër të kompetencave të veta, ka bërë kontroll standard të sigurisë së pasagjerit të përmendur si dhe bagazhit të tij, në pikën e kontrollit të sigurisë në sallonin VIP. Duam të theksojmë se siguria e aviacionit nuk është kërcënuar, sepse ngjarja e përmendur ka ndodhur në hapësirën publike të aeroportit, pra përballë pikës së kontrollit të sallës së VIP-ave, nga ku pasagjerët VIP, pasi janë kontrolluar nga Sigurimi, dërgohen në zonën e kontrolluar nga aeroporti. Gjithashtu duam të theksojmë se salla e VIP-ave është një ndërtesë e veçantë e izoluar nga ndërtesa kryesore e terminalit të Aeroportit të Shkupit, që do të thotë se është plotësisht e rreme se është cenuar siguria e udhëtarëve”, thuhet në reagimin e TAV.

Për të marrë një pasqyrë të saktë të ngjarjes dhe për të parandaluar përhapjen e dezinformatave, për të gjitha detajet në lidhje me incidentin, i drejtojmë mediat që të kontaktojnë institucionet kompetente, u tha nga TAV./Zëri/


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë