Nga Gazeta ‘Si’- Adriatik Lapaj e përfaqësues të partisë “Lëvizja Bashkë” janë përplasur ashpër mbrëmjen e 20 janarit në një protestë të organizuar para Ministrisë së Brendshme.
Protesta po mbahej për të kërkuar transparencë për ngjarjen ku u përfshi efektivi i policisë Azbi Spahiu i cili u hodh nga lartësia, dhe djali i biznesmenit Samir Mane.


Ishte Arlind Qori i cili drejton “Lëvizjen Bashkë” që kishte paralajmëruar protestë, por asaj i është bashkuar edhe Lapaj, kreu i partisë “Shqipëria Bëhet”.


Konflikti sipas “Lëvizjes Bashkë”, ndodhi sepse Lapaj nuk ishte regjistruar për të mbajtur një fjalim dhe po u ‘vidhte protestën’ e zaptonte podiumin.
Pedagogu dhe anëtari i “Lëvizjes Bashkë” Redi Muçi nuk lejoi Lapajn të mbante fjalën duke kërkuar nga policia të mbarëvajë protestën.
Sipas medieve, situata degradoi deri aty sa Lapajn e dëbuan nga podiumi me thirrjet ‘turp’, ndërsa në protestë ishte i pranishëm edhe vetë Qori.



Në pamjet e transmetuara nga mediet dëgjohet edhe një aktivist i “Lëvizjes Bashkë” i cili thekson se protesta është thirrur nga Lëvizja Bashkë dhe ka edhe një listë që duhet të respektohet.
Gjatë protestës nuk kanë munguar akuzat e përfaqësuesve të Arlind Qorit të cilët e kanë quajtur Adriatik Lapajn si të shitur, ndërsa ky i fundit i ka cilësuar si komunistë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.