15-vjeçarja amerikane Curi Gauff shkaktoi një start befasues të Wimbledon, pasi mposhti 5 herë kampionen e këtij Grand Slam-i, Venus Williams që në raundin e parë. E renditur në vendin e 313 të renditjes botërore, Gauff mposhti Williams pastër në të dyja setet 6-4 6-4. 24 vitet e diferencës mes të dyjave nuk u panë në asnjë moment, përkundrazi adoleshentja Gauff tregoi freski dhe një nivel më të lartë atletik se legjenda e tenisit, Venus Williams.
“Është hera e parë që qaj pasi fitoj një ndeshje,”- tha Gauff, e cila para ndeshjes kishte deklaruar se Venus dhe motra e saj Serena ishin idhujt e saj në tenis. “Nuk e di se si ndihem, nuk di si ta shpjegoj. Pa dyshim që tani kam nevojë të qetësohem pas këtyre emocioneve kaq të forta. Duhet t’i them vetes që vijat janë të njëjta, fushat nuk kanë ndryshuar dhe në fakt këtë gjë i kam përsëritur pas çdo pike që fitoja.”
Mes lotësh 15-vjeçarja ka treguar edhe urimet dhe mesazhet që i kanë dërguar dy idhujt e saj për këtë triumf. Venus Williams e ka nisur karrierën e saj në tenisin profesionist 10 vjet para se të lindte Gauff, e cila tashmë është bërë lojtarja më e re e kualifikuar në këtë raund të Wimbledon që nga viti 1968. Ajo më parë tha se motrat Williams kanë qenë një model frymëzimi për të që nga momenti i parë që ajo preku një raketë tenisi.
“Venus me uroi për fitoren dhe sa më shumë fat, gjithashtu më tha që të vazhdoj kështu, unë e falënderova shumë. Unë nuk do të isha këtu sot nëse ajo nuk do të kishte ekzistuar, ajo ka qenë një model frymëzimi dhe inspirimi i përhershëm për mua. Prindërit e mi do jenë shumë të lumtur për këtë fitore. Babai im ishte duke kërcyer nga lumturia pas çdo pike që unë beja. Tani këto orë do i kaloj me familjen time, pasi janë ata mbështetësit më të mëdhenj të mi në këtë rrugëtim timin. Nuk e kisha imagjinuar se kjo ditë do të vinte në jetën time. Jam duke e jetuar ëndrrën time dhe i jam shumë mirënjohës Wimbledon që ma dha këtë shans dhe që unë të tregoja aftësitë e mia.”
Në raundin tjetër, Gauff do të luajë kundër Magdalena Rybarikova nga Sllovakia, e cila ka 15 vite më shumë mbi shpatulla, por tashmë amerikania e dha provën e parë se vetëm mosha nuk e disavantazhon.
Venus Williams e pyetur për të ardhmen e Gauff, foli me superlativa. "Unë mendoj se kufiri i saj do të jetë vetëm qielli. Ajo bëri gjithçka mirë sot, e vendosi topin në limite shumë më e mirë se sa unë, ajo shërbeu mirë, u zhvendos mirë, ishte një ndeshje e mrekullueshme për të".
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.