Politike

Administrimi i Parkut të Butrintit, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e PD

Gazeta Si - Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar padinë e bërë nga deputetët e Partisë Demokratike për të shfuqizuar ligjin për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit.

Gjyqtarët kanë lënë në fuqi marrëveshjen e bërë mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondit për Menaxhimin e Butrintit.

“Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese”, thuhej në vendim

Sipas gjykatës, pavarësisht se menaxhimi i Butrintit do të realizohet nga Fondi Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, roli i shtetit mbetet parësor në raport me Parkun Kombetar të Butrintit.

Por Gjykata Kushtetuese vlerëson se marrëveshja, në tërësinë e saj, ka krijuar mekanizma garantues dhe rendit tre pikat

“Së pari, Fondacionit i përket vetëm administrimi i zakonshëm i pasurisë, ndërkohë që çdo veprimtari që kalon kufijtë e administrimit të zakonshëm dhe lidhet me ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri i përket shtetit;

së dyti, çdo akt i Fondacionit është subjekt i kontrollit të drejtpërdrejtë të organeve shtetërore sipas fushës së kompetencës të përcaktuar me ligj. Më konkretisht, Fondacioni nuk përjashtohet nga përmbushja e çdo detyrimi ligjor që ka sipas legjislacionit çdo entitet tjetër shtetëror apo publik, siç janë marrja e lejeve ose licencave përkatëse nga autoritetet kompetente për fillimin e punimeve ndërtimore apo ndërhyrjet ruajtëse dhe mbrojtëse në këtë pasuri, sipas marrëveshjes;

së treti, marrëveshja përcakton, gjithashtu, detyrimin e Fondacionit për të raportuar në mënyrë periodike për gjendjen e konservimit të pasurisë kulturore, ndërkohë që ministria ngre bordin e monitorimit, i cili mund të ushtrojë kontroll në vend për vlerësimin e gjendjes së konservimit të pasurisë”, thuhet në vendim.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese u mor me shumicë votash. Sipas Gjykatës, këto pretendime të kërkuesit janë mbështetur në Konventën e Parisit, sipas së cilës shteti duhet të ruajë rolin e tij parësor për mbrojtjen dhe konservimin e pasurisë së trashëgimisë kulturore, kjo e parë edhe në këndvështrimin se Parku Kombëtar i Butrintit bën pjesë jo vetëm në trashëgiminë kuturore kombëtare, për rrjedhojë është pjesë e identitetit kombëtar, por edhe në fondin e pasurisë së trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Gjykata vlerësoi se pavarësisht transferimit të kompetencave me natyrë administrative (menaxhuese) tek Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, shteti vijon të ruajë atributet e tij sovrane për sa kohë që ruan pronësinë mbi këtë pasuri ashtu edhe administrimin indirekt, në përputhje me standardet dhe parimet kushtetuese.

Dy vite më parë qeveria shqiptare vendosi që menaxhimi i Parkut Kombëtar të Butrintit të kryhet nga një fondacion i krijuar nga Ministria e Kulturës dhe AADF, për një afat 10-vjeçar, me të drejtë ripërtëritje.

Ligji u miratua nga Kuvendi në maj të vitit 2022 dhe shkaktoi protesta dhe debate të ndezura nga shoqëria civile dhe nga deputetët opozitarë, që dyshojnë për shfrytëzim të paligjshëm dhe antikushtetues të një pasurie të madhe të vendit, e cila mund të dëmtohet nga menaxhimi përmes kësaj forme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë