Lojëra me Dore

Abdul-Xhabar shet trofetë, 3 mln dollarë bamirësi për fëmijët

Karim Abdul-Xhabar, ish-basketbollisti i njohur amerikan ka dhënë një shembull të jashtëzakonshëm humanizmi. Ai ka nxjerrë në ankand një pjesë të mirë të trofeve të fituar në karrierën e tij legjendare dhe të ardhurat i ka kaluar në fondacionin e tij, që ndihmon fëmijët në nevojë. Trofeu më i shtrenjtë është unaza e vitit 1987, e shitur për 398.937,50 dollarë.

“Nëse duhet të zgjedh mes koleksionit të unazave si kampion i Nba-së, trofeve të tjerë, apo t’u jap fëmijëve mundësinë të ndryshojnë jetën e tyre, zgjedhja për mua është shumë e lehtë: shes gjithçka për fëmijët!” Karim Abdul-Xhabar e ka bërë vërtet, ka nxjerrë në shitje thuajse të gjithë trofetë e fituar në karrierë, duke përfshirë edhe 4 unazat e kampionit në Nba me Lejkërsat (jo të parin e fituar me Milluokin), dhe ka grumbulluar rreth 3 milionë dollarë, një shifër që do të shkojë për bamirësi me anë të fondacionit të tij “Skyhook Foundation”. Një fondacion, që ka si qëllim vetëm të ndihmojë fëmijët të arsimohen, të mësojnë matematikën, shkencat sociale, teknologji dhe inxhinieri.

Karim Abdul-Xhabar

Koleksioni i Abdul-Xhabar përfshinte 234 objekte. Trofeu më i shtrenjtë është ai i kampionit të vitit 1987, i shitur për 398.937,50 dollarë. Simboli i titullit të vitit 1985 u shit 343.700 dollarë, unazat e 1980-ës dhe 1988-ës u shitën për 245.500 dollarë secila. Ndër 5 trofetë më të shitur bën pjesë edhe topi i ndeshjes numër 1560 të ish-basketbollistit në Nba, në vitin 1989, i autografuar dhe i shitur për 270.050 dollarë. Janë shitur edhe tre trofe “mvp”. Ai i vitit 1972, i dyti nga 6 që ka fituar Abdul-Xhabar në karrierë, u shit 123.977,50 dollarë, kurse ata të viteve 1974 dhe 1975 janë shitur nga 122.750 secili. 71-vjeçari, deri tani shënuesi më i mirë i historisë së Nba-së, me 38.387 pikë, e kishte bërë të ditur javë më parë vendimin për shitjen e trofeve për të ndihmuar fondacionin e tij.

Abdul-Xhabar, kur luante me Lejkërsat

“Kur një sportist i famshëm vendos të shesë gjithçka që ka fituar në karrierë, njerëzit mendojnë të keqen, por ky nuk është rasti im, - ka shpjeguar Karim Abdul-Xhabar. – Jam një koleksionist i hershëm, i tapeteve orientale, i armëve të vjetra, i monedhave dhe gjithë objekteve që më kanë lejuar të kuptoj më shumë për vendin nga vijmë. Trofetë e mi sportivë kanë një histori: historinë time. Por, më shumë se duke parë trofetë që kam fituar shumë kohë më parë, kënaqem duke parë fytyrën e qeshur të një fëmije, që mban në duar lodrën e parë. Mendoj se çfarë duhet të bëj që ta ndihmoj në të ardhmen e tij, sepse kjo është një histori që nuk ka çmim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë