Mendim

A po shpërbëhet Bashkimi Europian?

Tani për tani Brukseli është duke qëndruar i fortë si kalaja e fundit e politikës së vjetër. Por me zgjedhjen e Donald Trump, përhapjen e populizmit dhe përplasjet e brendshme të Bashkimit Europian, peshorja mund të anojë në anën e gabuar të historisë.

Dy rebelët më të mëdhenj në këtë rast janë 2 vende të mëdha të kontinentit: Mbretëria e Bashkuar dhe Italia. E para dëshiron të largohet nga Bashkimi Europian pa dhimbje, ndërsa e dyta dëshiron thjesht të ndryshojë. Si të ishin një ekip, Britania dhe Italia kanë qenë ‘tregtarët’ kryesorë të krizës ditë pas dite, ndërsa burokratët e zhgënjyer të Brukselit vazhdojnë të ruajnë territorin e tyre.

Në fund të javës së kaluar ishte radha e Londrës, teksa qeveria konservatore e kryeministres Tereza Mej u rebelua mbi propozimin e saj të Brexit, dhe ku si konservatorët ashtu edhe laburistët e hodhën poshtë atë si tepër besnike ndaj rregullave të BE.

Theresa May

Pas një takimi 5 orësh të qeverisë, që pasoi 2 vite bisedime të rregullta me Brukselin, 4 ministra të profilit të lartë duke përfshirë sekretarin e Brexit, Dominik Rab u larguan nga kabineti të enjten, dhe ekspertët kanë shprehur dyshime nëse Mej mund t’ia dalë të miratojë marrëveshjen në parlamentit, apo edhe nëse do të mbijetojë vetë politikisht.

Ai që priste në qoshe ishte versioni britanik i Presidentit amerikan me Donald Trump, deputeti Boris Xhonson, një nacionalist pasionant dhe mbështetës i Brexit, që dha dorëheqjen si ministër i Jashtëm korrikun e kaluar, duke pohuar në letrën e tij të dorëheqjes, se Britania e Madhe po shkonte drejt marrjes së “statusit të një kolonie”, nëse do të miratohen planet e kompromisit të May mbi Brexit.

Ashtu si shumica e kritikëve të saj, as Xhonson nuk ka ofruar asnjë plan alternativ. E megjithatë, pavarësisht zotimit të kryeministres të enjten për të luftuar për miratimin e marrëveshjes së saj “me çdo fibër të qenies sime”, ka spekulime të shumta se Xhonson mund të zërë vendin e saj në krye te qeverisë.

Boris Johnson

Nëse kjo ndodh, pothuajse me siguri do të ketë një dalje “të ashpër” nga BE, që mund të zhysë në kaos ekonominë britanike. Tashmë vlera e paundit britanik po bie ndjeshëm. Më poshtë në jug, qeveria italiane po ushtron presion për të pasur të drejtën e shpenzimeve më të mëdha në raport me deficitin, për të cilën Komisioni Europian tha se nuk është i lejueshëm, pasi do të shkelte rregullat e ngurta të parashikuara në Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes së BE.

Për ata që besojnë në projektin europian, Brexit është vertët një dhimbje koke, por Italia, nga ana tjetër, është një makth nga i cili nuk mund të zgjohesh. Koalicioni populist i Italisë është vendosur aktualisht në një kurs përplasjeje me BE-në, duke kërcënuar të fillojë një efekt domino që mund të shkatërrojë monedhën e përbashkët.

Mediat britanike vështirë se e përmendën, por të shtunën, pasi Jean-Claude Juncker takoi Theresa May, u ul për 'një darkë pune' me kryeministrin Giuseppe Conte për të diskutuar shkeljen e paprecedentë të rregullave të BE nga ana e qeverisë së re italiane.

Në një përpjekje për t'u larguar nga shtrëngimi, qeveria e Italisë ka propozuar një buxhet që tejkalon rregulloret e BE mbi sasinë e shpenzimeve dhe borxhit brenda eurozonës. Megjithatë, as BE-ja dhe as tregjet nuk mund të përballojnë humbjen e Romës. Muajin e kaluar, përhapja e obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë gjermane dhe italiane rriti rrezikun që i kanoset Eurozonës me më shumë se 300 pikë (3 për qind). Nëse rreziku rritet me 400 pikë, mund të çojë në pasoja katastrofike. Kjo është ajo që ndodhi në verën e vitit 2011, kur rrëzoi Silvio Berluskonin, i cili deri më sot mbetet kryeministri i fundit i zgjedhur i Italisë.

Matteo Salvini

Pas tij erdhi Mario Monti, ish-komisioneri i BE-së, i cili u bë i pari nga pesë kryeministrat e pazgjedhur të Italisë. Kjo listë përfshin edhe Conten. Ai është një avokat që nuk kandidoi në zgjedhje, por u zgjodh kryeministër falë një kompromisi nga dy partnerët e koalicionit populist, të cilët, le të mos harrojmë, ishin deri pak para zgjedhjeve armiq të betuar.

Javën e kaluar, Komisioni i BE-së kundërshtoi buxhetin e qeverisë populiste, hera e parë që ka hedhur poshtë ndonjëherë buxhetin e një shteti anëtar. Ai i dha Italisë një muaj që ta modifikonte ose do të përballej me gjoba të mëdha deri në 0.5 për qind të PBB-së. Që kur qeveria populiste e Italisë erdhi në pushtet, BE ka qenë në pozicion sulmi. Ashtu si ndëshkimi i Britaninë për të votën e saj për t'u larguar nga BE-ja, Komisioni Europian duhet të ndëshkojë edhe Italinë për zgjedhjen e një qeverie populiste që refuzon të zbatojë rregullat e Bruskelit.

I pyetur javën e shkuar nëse mund të gjendet një kompromis, Komisioneri i Ekonomisë së BE Pier Moskovici u përgjigj: “Jo ne nuk jemi në negociata. Rregullat janë rregulla!”.

Sipas Harold James, historian i Universitetit Prinston në SHBA, Italia dhe Britania e Madhe, tregojnë në fakt se është se sa e pamundur është që të përpiqesh të largohesh nga BE-ja. Sipas tij, këto shpërthime nacionaliste mund të shkaktojë fragmentimin e mëtejshëm politik të unionit.

Kjo ka rezultuar veçanërisht e vërtetë për ekonominë më të madhe të Europës, Gjermaninë, ku plani mëhershëm i BE-së për të “shpëtuar” Greqinë, i nxitur nga kancelarja Angela Merkel, e shndërroi alternativën e ekstremit të djathtë në një lojtar të madh.

 Emmanuel Macron dhe Donald Trump

Studiuesi gjerman Stefan Rihter, thotë se në qarqet e Berlinit të gjithë janë në një mendje se “nëse Britania dhe Italia dëshirojnë të kryejnë vetëvrasje, janë në të lira”. E gjitha kjo po ndodh në një kohë kur forcat e së djathtës janë duke u fuqizuar, ndërsa partitë tradicionale po braktisin skenën politike.

Deri tani e djathta ekstreme në pushtet, ishte e kufizuar kryesisht në vendet e Europës Lindore si Polonia dhe Hungaria. Por me zgjedhjen e koalicionit populist në Itali, kjo nuk është më e vërtetë. Politikanët e tjerë duket se janë të lodhur. Merkel njoftoi së fundmi se po largohet si drejtuese e partisë kryesore qeverisëse në Gjermani, në Britani May është e gjynjëzuar nga armiqtë e brenshëm, dhe në Francë presidenti Emanuel Macron, i cili pas zgjedhjeve të 2017-ës u pa si centristi liberal i Evropës që do t’i kundërvihej Trumpit, është thellësisht jopopullor, ndërsa rivalja e tij e të djathtës ekstreme, Marin Lë Pen, po rritet sërish në sondazhe.

Të gjitha këto janë “melodi” për veshët e Donald Trump. Duke folur në Paris në ceremoninë e 100 vjetorit të fundit të Luftës së Parë Botërore, Macron kritikoi tërthorazi Trump duke thënë se nacionalizmi është tradhti e patriotizmit. Ndërkohë Trump u bëri thirrje forcave politike franceze të krahut të djathtë të mposhtin udhëheqësin aktual të Francës.

“Problemi është se Emanuel Mavron, vuan nga një popullaritet shumë i ulët në Francë, 26 për qind, dhe një normë papunësie prej pothuajse 10 për qind”- shkroi Trump në Tëitter. “Meqë ra fjala, nuk ka vend më nacionalist se sa Franca, njerëz shumë krenarë, dhe me plot të drejtë”.

Gjatë fushatës së saj të dështuar presidenciale në vitin 2017, Marin Le Pen e përshkroi zgjedhjen e Trump si “një gur shtesë në ndërtimin e një bote të re”. Ose një grumbull i madh rrënojash. Do të jenë muajt e ardhshëm ata që do ta tregojnë këtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë