Mendim

A po investon diplomacia amerikane tek LDK-ja?

Edhe pse askush nuk e di si do të përfundojnë negociatat mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës duket i kanë vendosur të gjitha bastet tek LDK-ja.

Isa Mustafa dhe partia e tij duket se gëzojnë këto ditë mbështetje të jashtëzakonshme nga SHBA-ja, edhe pse kanë qenë kërkesat dhe kushtet e shumta të LDK-së ato që po mbajnë peng formimin e qeverisë.

Një javë më parë një delegacion i Lidhjes Demokratike të Kosovës ndodhej në Berlin për t’u takuar me të dërguarin special të presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, një nga njerëzit më të besuar të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Mustafa kishte dërguar në këtë takim “negociatorin e hekurt” të LDK-së, Agim Veliun. Nënkryetari i LDK-së duket se e informoi Grenell për bisedimet me VV-në, të cilat në atë kohë ishin bllokuar prej disa ditësh dhe ambasadori amerikan në Berlin i kërkoi sipas raporteve të delegacionit të LDK-së, që të punonin për formimin e qeverisë.

Dhe “rastësia” deshi që pas këtij takimi, LDK-ja dhe VV-ja të mbanin tre takime të njëpasnjëshme duke shkuar më pranë se kurrë arritjes së një marrëveshjeje.
Gjatë takimit në Berlin, Grenell, i dha delegacionit të LDD-së edhe porosinë e parë pas formimit qeverisë, heqjen e taksës ndaj importeve serbe. Gjatë bisedës me Agim Veliun, Avdullah Hotin dhe Skender Hysenin, anëtarë të Kryesisë së LDK-së, ambasadori Grenell i kërkoi delegacionit të LDK-së që të merrnin vendime që do të çonin drejt rifillimit të dialogun me Serbinë.

Delegacioni i LDK takon Richard Grenell, Gazeta Si, 2020

Por sapo bisedimet mes kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe atij të LDK-së ngecën sërish, Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett , vendosi t’i shkonte këtij të fundit në zyrë.

Të hënën Kosnett mblodhi në selinë qendrore të LDK-së, figurat kyçe të partisë, për të biseduar për koalicionin qeveritar mes VV dhe LDK, duke i bërë thirrje të formonin sa më parë qeverinë e re. “Mustafa e informoi Ambasadorin Kosnett për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje”, thuhet në njoftim zyrtar të LDK-së.

Kjo ishte hera e tretë në pak javë që Kosnett takonte Mustafëm, pasi kreu i LDK-së dhe Ambasadori Amerikan patën një takim edhe më 30 dhjetor, kryefjala e të cilit ishte po ashtu formimi i koalicionit qeverisës.

Duke qenë se Vetëvendosja ishte partia më e votuar në zgjedhjet e gjashtë tetorit, nuk ishin të paktë ata që prisin që Kosnett të mbante bisedime të hënën edhe me Albin Kurtin, por kjo nuk ndodhi. Deri më tani duket se e gjithë diplomacia amerikane është përqendruar tek LDK-ja, të cilës po i kërkojnë vazhdimisht të formojnë sa më parë qeverinë.

Por çfarë sinjali po përpiqen të dërgojë amerikanët dhe a do të thotë ftesa e delegacionit të LDK-së në Berlin se Uashingtoni parapëlqen të negociojë me Lidhjen Demokratike të Kosovës?

Isa Mustafa dhe ambasadori amerikan Philiph Kosnett, Gazeta Si, 2020

Kjo në fakt duket se kjo u sinjalizua disa ditë pas zgjedhjeve të tetorit, kur kandidatja për kryeministre e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani u ftua në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar më stafin e ngushtë të presidentit Donald Trump.

Kosova është prej tre muajsh në pritje të formimit të një qeverie të re që do të përballet me shumë sfida, mes të cilave edhe dialogu me Serbinë. SHBA-ja ka caktuar dy përfaqësues të posaçëm për arritjen e një marrëveshje me Beogradin, por i mungon një element i rëndësishëm: Një qeveri e besuar që mund t’ia ngarkojë këtë mision në Prishtinë.

Dhe nuk është sekret që Albin Kurti nuk është i preferuari. Ai është treguar i gatshëm për heqjen e taksës pas një sërë kushtesh dhe vendosje te reciprocitetit, kërkesën kyçe të komunitetit ndërkombëtar, por nuk e ka hedhur poshtë idenë e bashkimit me Shqipërinë dhe nuk ka pranuar të heqë flamurin shqiptar nga zyra edhe pasi partia e tij doli e para pas zgjedhjeve të 6 tetorit.

Albin Kurti dhe ambasadori amerikan Philiph Kosnett, Gazeta Si, 2020

Procesi më i rëndësishëm ku janë investuar ndërkombëtarët është dialogu Kosovë-Serbi, i cili kërkon vetëpërmbajtje politike. Por deri tani, Albin Kurti ka mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë, duke premtuar rishikimimin e tyre. Ai ka theksuar gjatë gjithë fushatës se sapo të marrë detyrën, do të rishqyrtojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e udhëhequr nga Brukseli. “Na nevojitet një komision që të mbikqyrë 33 marrëveshjet e realizuara përgjatë dialogut në vitin 2012 deri në vitin 2017”, ka theksuar Kurti.

Ndoshta arsyeja përse Grenell nuk ftoi në Berlin edhe një delegacion nga Vetëvedosja ishte sepse Kurti deklaroi pas takimit më përfaqësuesin special të SHBA-së në tetor se nuk do të pajtohet me Uashingtonin për rikthimin e menjëhershëm në tryezën e bisedimeve. Ai mësohet se i ka thënë se dialogu nuk është në krye të listës së përparësive të tij. “Ky nuk është prioriteti im në ditën e parë të punës sime si kryeministër”, deklaroi kreu i VV-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë