Teknologji dhe Inovacion

A po afrohet fundi i Twitter?

Qindra punonjës të Twitter u larguan të enjten pasi Elon Musk kërkoi që vetëm punonjësit “jashtëzakonisht të fortë” të qëndrojnë në punë duke qenë se ai dëshiron të transformojë platformën për t’iu përshtatur vizionit të tij.

Musk i dërgoi një email stafit të mërkurën në mëngjes duke thënë se Twitter do të kishte hapësirë ​​vetëm për ata që janë të përgatitur për të punuar "orë të gjata me intensitet të lartë".

“Për të pasur sukses në një botë gjithnjë e më konkurruese, ne do të duhet të jemi jashtëzakonisht të fortë”, shkroi ai.

Emaili u kërkoi punonjësve të klikonin në një lidhje nëse ishin të përgatitur për të përmbushur ato pritshmëri. Kushdo që refuzonte do të përjashtohej.

New York Times gjithashtu raportoi se Musk dhe ekipi i tij u takuan me disa punonjës të Twitter-it të cilët nuk kishin nënshkruar për pritshmëritë e reja, duke u përpjekur të ndalojnë largimin e disa punonjësve që konsiderohen të rëndësishëm për platformën.

"Për sa i përket punës në distancë, gjithçka që kërkohet është që menaxheri juaj të marrë përgjegjësinë për t'u siguruar që po jepni një kontribut të shkëlqyer", tha Musk përpara se të shtonte se çdo menaxher që "pohon në mënyrë të rreme" se dikush po bën punë të shkëlqyer do të pushohej nga puna.

Por me kalimin e periudhës së ultimatumit deri të enjten, qindra dorëheqje kishin filluar të grumbulloheshin, duke përfshirë edhe disa punonjës që Musk ishte përpjekur ti mbante në punë.

Ekspertët po thonë se shumë punonjës po postojnë pikërisht në Twitter për të treguar se kanë dhënë dorëheqjen.

Një ish punonjës që u largua së fundmi e përshkroi gjithë këtë që po ndodh si një “eksod masiv”.

Mbrëmjen e të premtes, kompania u ka dërguar një email stafit duke thënë se të gjitha zyrat do të mbyllen, të paktën deri më 21 nëntor, çka e bën akoma më të paqartë të gjithë situatën.

Musk finalizoi blerjen prej 44 miliardë dollarësh të Twitter muajin e kaluar. Më pas ai pushoi nga puna rreth 3 mijë punonjës si dhe këdo që kritikonte stilin e tij të menaxhimit.

Gjithashtu, para disa ditësh Musk nuk e ka përjashtuar mundësinë e një falimentimi dhe këtë e ka thënë në bisedën e parë që ka pasur me punonjësit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë