Ruaji sa të duash fëmijët, hiqua telefonin, mos i lejo të dalin orar pa orar, ata do ta gjejnë një mundësi për të vepruar si ua shkrep koka. Një 16-vjeçare me banim në rrugën “Siri Kodra” “humbi” për më tepër se 12 orë, pas grindjes me të atin G. R për sjelljet e të bijës në internet. Vajza u “spiunua” nga e ëma tek e cila ishte rrëfyer se kishte njohur një djalë në internet dhe kishte rënë kokë e këmbë në dashuri me të. Sipas burimeve të gazetës Si, adoleshentes familja i kishte premtuar që do t’i blinte telefon sapo të mbushte moshën. Por e mitura e kishte gjetur një zgjidhje. Me telefonin e mamasë hapi snapchat në qershor 2020. Derisa në njërën prej këtyre ditëve dikush i shkroi “çkemi, a ke dëshirë të flasim?”. Ky çast ishte emocionues për 16-vjeçaren që ka nisur komunikimet me “princin” në krahun tjetër. Sekreti ka zgjatur vetëm dy muaj, pasi e ëma ka rënë në gjurmë dhe është treguar aq “tolerante” sa e ka dëgjuar deri në fund dashurinë e vajzës që i tha “mezi pres të mbaroj shkollën e të mbush moshën, e dua I. .” Bëhet me dije sipas burimeve të gazetës Si se kur G. R. ka mësuar për historinë i ka bërtitur të bijës, aq sa ajo e ka sfiduar “do iki që tani të jetoj me të” dhe ka dalë nga shtëpia. Pasi prindërit e kanë kërkuar për orë të tëra, është përfshirë edhe policia që e gjeti 16-vjeçaren tek një e njohura e familjes. Por është kërkuar më tej identiteti i djalit. Ai është banor në një fshat të Burrelit që kur u pyet nga policia deklaroi “nuk e dija që jam dashuruar dhe që po flisja me një vajzë nga Tirana. Nuk kemi folur asnjëherë për martesë jam vetëm 18 vjeç”. Nga ana e saj vajza thotë “ika nga shtëpia për të mërzitur babin, ai nisi të hetonte dhe i kishte thënë vëllait që të takonte djalin me të cilin flisja dhe ta njihte çfarë ishte”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.