Ngjarje

Vettingu-Policët pyeten: A ke bolier në shtëpi?

Sytë e publikut prej më tepër se një viti janë përqendruar mbi vettingun që po ndodh në drejtësi, nga i cili deri më tani i janë nënshtruar 142 prokurorë e gjyqtarë. Prej tyre 69 gjyqtarë e prokurorë janë shkarkuar, ndërsa 72 të tjerë janë konfirmuar në detyrë, prej të cilëve disa janë ankimuar, përfshi edhe katër anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Vetëm për një prej tyre zonjën Marsida Xhaferllari është shpallur nga KPK vendim neutral, pra as shkarkim dhe as konfirmim në detyrë. Por, ndërkohë vettingu ka nisur edhe në radhët e policisë, një kontroll i trefishtë, në të cilin pritet të ketë surpriza.

Vettingu në polici
Gazeta “Si” disponon ekskluzivisht formularët që me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm u janë përcjellë 13 mijë efektivëve të policisë, agjentëve të shërbimit të kontrollit dhe Çështjeve të Brendshme dhe Gardës së Republikës. Të gjithë zyrtarët e policisë deri te polici me gradën inspektor duhet të plotësojnë dhe të pohojnë të dhënat ekonomike. Vetëdeklarimi do të përcillet elektronikisht pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Por, çfarë do të deklarojnë policët?
Gazeta “Si” ka mundur të zbulojë se janë tetë pika që policët duhet t’i plotësojnë duke pohuar dhe përshkruar gjendjen ekonomike ku ata jetojnë. Përpos identitetit dhe adresës së banimit si dhe numrit të familjarëve, në total policët duhet të flasin edhe për trungun e familjes. Ajo që policët duhet të tregojnë dhe të mos i fshehin ka lidhje edhe me detaje të imtësishme sikurse pajisjet elektroshtëpiake, të tilla si çfarë gjenden në shtëpi, televizor, lavatriçe, frigorifer, bolier. Përveç përshkrimit të tyre, ata duhet të deklarojnë edhe orendi apo sende të tjera, përshkrimi i të cilave lihet evaziv dhe i papërcaktuar, çka do të thotë nuk është çudi që policët duhet të tregojnë për ata që jetojnë në zonat rurale edhe lopët apo pulat që kanë, ndërsa ata që jetojnë në qytet edhe veshjet, apo lodrat e fëmijëve. Pika ‘e’ në këtë formular është lënë qëllimisht e papërcaktuar për t’ju lënë hapësirë shefave e drejtuesve që të raportojnë pikturat, apo edhe dhuratat e shtrenjta apo diçka ndoshta të trashëguar. Policët duhet të rrëfejnë në formular sipërfaqen e shtëpisë, nëse jetojnë apo jo me qira, e kanë në përdorim banesën apo janë me kredi. Çdo polic duhet të vlerësojë nëse banesa është e kënaqshme, e mjaftueshme apo e pamjaftueshme si edhe të tregojnë sa janë të ardhurat mujore të familjarëve të tij.

Urdhri
Gazeta “Si” raporton se shpërndarja e formularit ka ndodhur një ditë më parë me porosi të kryepolicit Ardi Veliut dhe brenda datës 27 korrik çdo polic duhet të tregojë situatën ekonomike dhe financiare. Kështu që gjatë këtyre dhjetë ditëve, policët do t’i shikoni të përfshirë nga ethet për të raportuar e për të kapur afatet ligjore mbi rrënjët e dhëmballët e shtëpisë. Të urojmë që nga trysnia dhe afati i shkurtër që iu është lënë të mos kemi raste vetëvrasjeje, siç ai i një viti më parë atëherë kur një efektiv u vetëvra sepse u tremb ngaqë jetonte në një shtëpi të palegalizuar.

Vettingu
Gazeta “Si” ka mundur të zbulojë se aktualisht janë nën proces dhe pritet të dalin në vetting 45 drejtuesit madhorë të Policisë së Shtetit. Edhe vettingu në polici do të ketë tri kritere, profesionale, pasurore dhe pastërti figure. Seancat dëgjimore do të mbahen të hapura dhe do të zhvillohen në Pallatin e Kongreseve.

 

Më Shumë