Nga Luljeta Nelallari - “Kulimllëku vagabond-modern (shqiptar) kërvesh buzët mbi thjeshtësinë e artë të mitologjisë sonë kombëtare”, do të shkruante i madhi Gjergj Fishta për mitologjinë dhe hyjnitë.
Përpos modernitetit, çdo komb ka historinë e vet. Edhe kulturën, edhe mitet, edhe hyjnitë...
Por sa i njohin shqiptarët Zotat, emrat e hyjnive që në thelb janë pellazgo-ilire, e që në rrjedhën e historisë janë të veshur me dhunë me “petkat” greke dhe romake? A kemi ne perëndi dhe a dyshojmë te miti jonë, i themelimit të iliro-shqiptarëve?
Edhe vetë studiuesi Tonin Çobani, që është marrë me mitologjinë shqiptare ndër vite, e ka të vështirë të t’i përgjigjet prerë pyetjes “a kemi Zota ne shqiptarët”? Por, ka! Ai shprehet se ekziston një mit që lidhet vetëm me iliro-shqiptarët dhe është miti i Kadmit.
“Më parë se të flitet për ilirë a fise ilire, më parë se në harta të shënohej Iliria a viset e ilirëve, në Mesdhe qarkullonte miti i Ilirit. Iliri është biri i Kadmit. Kadmi vetë është biri i mbretit Agenor (me nënë Telfasën). Dhe Agenori stërnip i Zeusit dodonas. Miti i iliro-shqiptarëve zuri fill kur Zeusi grabiti motrën e Kadmit, Europën. Kadmi dhe Harmonia lindën një fëmijë dhe e quajtën Ilir”, thotë Çobani për Gazetën “Si”.
Duke u nisur nga ky mit, sipas gojëdhënës është krijuar dhe Mbretëria Ilire.
“Gojëdhëna thotë se Kadmi dhe Harmonia u shndërruan në dy gjarpërinj/dragonj dhe u vendosën përjetësisht në Fushat e Elizeut. Iliri trashëgoi mbretërinë e të atit, të cilës i dha emrin e vet: Iliri. Ai u gëzua me shumë fëmijë (djem dhe vajza), emrat e të cilëve u mbetën fiseve ilire të hershme. Në këtë mit përmendet edhe fisi ilir i Enkelejve. Disa mendojnë se edhe fisi i Dardanëve ka marrë emrin e njërit prej djemve (apo vajzave) të Ilirit. Gjithsesi, edhe miti i Dardanit, i cili qarkulloi para dhe pas Luftës së Trojës, është i të njëjtës kohë. Dardani është themeluesi i Dardanisë ilire. Por një Dardan është edhe themelues i Trojës. Mendohet të jetë i njëjti”, vijon Çobani.
Sipas studiuesit Çobani, edhe Zeusi që historikisht njihet si i grekëve, është pellazgo-iliro-shqiptar.
“Edhe Zeusi nuk është Zeusi i grekëve. Zeusi është kryeperëndia e Olimpit, por më përpara ai ka qenë kryeperëndi e Dodonës, dhe kultura dodone nuk është helene, as greke, kultura e Dodonës është pellazgo-ilire, dhe Zeusi që është gjet në ato rrënoja, është pellazgo-iliro-shqiptar”, shprehet Çobani për Gazetën “Si”.
Por siç duket ndër shqiptarë ka pasur dyshime për ekzistencën e miteve.
“Asnjë nuk dyshon se Romuli dhe Romi u ushqyen me qumështin e një ujkonje dhe ata themeluan Romën. Pse dyshojmë tek miti jonë ne, i themelimit të iliro-shqiptarëve, pse dyshojmë?”, thotë Çobani.
Ndërkohë që ngre pyetjen se “Pse nuk ua mësojmë fëmijëve në shkollë siç ua mësojnë romakët fëmijëve të tyre sot e kësaj dite, apo kemi frikë se mos u hyjmë në hise grekëve?”
Në një kohë që kjo pjesë e mitologjisë nuk ekziston në asnjë tekst shkollor e universitar, ai thotë se ndoshta “’kulimat’ e Fishtës (vagabondat modernë) janë edhe në Ministri, edhe në Akademi, edhe në institucione të tjera”.
Duke u kthyer pas në kohë për historinë se si janë trajtuar ndër vite zotat në vendin tonë dhe në marrëdhënien greko-romako-ilire, ai veçon dhe probleme.
“Në kohën e monizmit ka dy probleme, problemi i parë është se nuk ka Zota hiç. E dyta është se këtu ka problem ekspansioni, shtetet e fuqishme, perandoritë kanë kërkuar të jenë gjithmonë dominuese, kanë dominuar në shkrim, në kulturë, me armë, me pasuri, dhe romakët kanë pranuar që kanë marrë kulturën greke, grekët nuk pranojnë që kanë marrë kulturën pellazgo-iliro-shqiptare”, vijon më tej ai.
Sipas Çobanit, “mitologjia nuk mund të zgjidhë problemet që historia ende nuk i ka mbyllë kënaqshëm nga ana e saj. Mitologjia veçse provokon zgjidhje të mundshme, ndaj dhe historia e hyjnive nuk merr një përgjigje të prerë e të drejtpërdrejtë”.
Lidhur me rëndësinë e njohjes së mitologjisë për shqiptarët e sotëm, ai përfundon se këto janë të rëndësishme, aq sa është e rëndësishme kultura për njeriun.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.