Komunitet

Një pyetje për Fatmir Xhafën: Kush duhet të na mbrojë ?

Një 34-vjeçar përfundoi në spital dhe denoncoi se ishte rrahur paq nga dy efektivë të policisë së Korçës. Po në Korçë, një i ri i komunitetit rom pati një fat akoma më tragjik se rasti i 34-vjeçarit. Ai përfundoi në morg me shenja dhune në trup pas marrjes në pyetje, ndërsa në Shkodër, një tjetër vari veten fill pasi kishte lënë dhomat e paraburgimit.

Dhuna në komisariatet shqiptare, si mjet për të “zbërthyer të vërtetën” nuk është një fenomen i ri dhe as i izoluar, por tre rastet e fundit brenda pak javësh tregojnë se ndoshta në formularin e vettingut të punonjësve të Policisë së Shtetit duhej të ishte futur një pyetësor, që t’u ndalonte personave të tillë të vishnin atë uniformë, që si mision ka mbrojtjen e jetës së qytetarit, jo marrjen e saj.

Ajo që e bën më shqetësuese këtë seri dhune nëpër komisariate është heshtja, ose reagimi i vakët i Ministrisë së Brendshme. Pas rastit të 34-vjeçarit, strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, që hetojnë shkeljet e policisë, u mjaftuan me një njoftim ku thuhej se po hetohej dhe se ku ka mbërritur ky hetim deri më tani nuk dihet asgjë.

Në rastin e dytë, atë të vdekjes tragjike të 27-vjeçarit, Enea Ftoi nga Komisariati i Korçës u mohuan akuzat se kishin ushtruar dhunë, madje u tha se i ndaluari ishte një përdorues droge dhe se u gjet i pajetë në dhomat e paraburgimit.

Por, familjarët e tij këmbëngulnin se e vërteta ishte tjetër. Sipas tyre, ai kishte ndërruar jetë nga dhuna e policisë gjatë marrjes në pyetje. Në trupin e tij, bashkëshortja kishte filmuar shenja dhune dhe të nxira në qafë. Përveç dramës familjare, asaj i duhet që të përballojë tashmë edhe dramën sociale, atë të rritjes së tre vajzave minorene e vetme.

Edhe në këtë rast, reagimi i Ministrisë së Brendshme ishte identik me rastin e parë. “Po hetohet” ishte fjala që përsëritej në njoftimin e SHÇBA, shoqëruar edhe me ndonjë “pezullim nga detyra”.

Në Shkodër, 47-vjeçari Ardjan Kallmi u vetëvar në fshatin Barbullush. Në telefonin e tij familjarët thonë se kishte regjistruar zërin e vet në momentin që po shoqërohej në komisariat. “Nuk kam bërë asgjë! Jam i pafajshëm! Më lironi!”, deklaronte i ndjeri.

Akuzohej për një vjedhje të ndodhur në fshatin e vet, akuzë që e mohonte prerazi, si ai, ashtu edhe familjarët e tij. Por, në Polici e kishte firmosur në një deklaratë që nuk e kishte shkruar vetë.

“Unë Ardjan Ndeli Kallmi ju garantoj se brenda dy ditëve do të shkojnë materialet te banesa e Lind Mandit. Deklaroj nën përgjegjësinë time se çfarë deklarova më sipër ishin me vullnetin tim dhe se në rast të moskryerjes së kësaj pune që premtova, jam dakord që të mbaj përgjegjësi ligjore”, thuhej në të.

Po të interesohesh si në Polici, ashtu edhe në Prokurori, kjo lloj procedure, ku një i akuzuar jo vetëm që pranon fajësinë, por zotohet edhe që të dëmshpërblejë palën e dëmtuar nuk ekziston, madje në asnjë kod, ligj, apo rregullore, nuk është një procedurë e tillë, ku një të shoqëruari t’i merret një deklaratë.

Duke folur për Fiks Fare, vetë shefi i Komisariatit të Vaut të Dejës, Paulin Çupi pranon se deklarata nuk është shkruar nga i ndjeri.

“Ai ka shprehur dëshirën, ku ka kërkuar….deklarata është shkruar nga një punonjës i policisë”, thotë ai.

Fillimisht arsyet e vetëvrasjes u munduan që të fshiheshin nga ana e Policisë së Shkodrës, pa ja dalë mbanë. Familjarët deklaruan në media se Ardjani ishte marrë në pyetje nga ana e policisë që e akuzonte për një vjedhje në fshat. Sipas tyre, gjatë marrjes në pyetje atij i është ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike për të pranuar akuzën.

Por, 47-vjeçari nuk e pranoi atë dhe për t’i shpëtuar njollës së “hajdutit”, në një zonë ku ky “profesion” përçmohet, zgjodhi vetëvarjen dhe të vërtetën e mori me vete në varr.

Rasti bëhet më flagrant nga reagimi i shefit të Komisariatit. I gozhduar nga pyetjet e gazetarit të Fiks Fare, shefit i humbet durimi dhe kur gazetari i kujton se një person ka vrarë veten i përgjigjet ftohtë: “Shumë mirë që ka vrarë veten”.

Deri para se të transmetohej në televizion ky dialog, nga Ministria e Brendshme nuk ishte shpërndarë asnjë deklaratë që të njoftonte pezullimin e shefit të Komisariatit të Vaut të Dejës për ngjarjen e Shkodrës. Por, fill pas kësaj, kjo ministri u kujtua të sqarojë se shefi i Komisariatit nuk ishte më shef Komisariati.

“Menjëherë sapo mori dijeni mbi ngjarjen, ku u gjet i vetëvrarë një shtetas pasi ishte shoqëruar në Polici, ministri i Brendshëm urdhëroi Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) që në bashkëpunim me Prokurorinë të niste hetimin e rastit. Pas verifikimeve paraprake, SHÇBA i kërkoi Drejtorit të Policisë pezullimin nga detyra. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në datë 29 maj 2018, urdhëroi pezullimin nga detyra të P.Ç., Shef i Komisariatit të Vaut të Dejës dhe punonjësve Z.D dhe P. Zh., me detyra SPZ. Pra, theksojmë se shtetasi P.Ç., i cituar në kronikën televizive si Shef i Komisaritit në Vaun e Dejës, nuk është në detyrë që nga data 29 maj 2018”, thuhet në reagim.

E përbashkëta e tre personave të dhunuar, dy prej të cilëve tragjikisht nën dhé është se që të tre akuzoheshin për vjedhje, ndërsa për dhunuesit e tyre i përbashkët mbetet togfjalëshi “hetimet vazhdojnë…”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë