Njerez

A ka ndonjë të gjobitur se nuk mban maskë në ambjentet e mbylluara?

Numri zyrtar i të infektuar  çdo ditë me covid është mbi 2000 por megjithëse shifrat e larta dhe numrin e vdekjeve shqiptarët janë indiferentë për të mbajtur maskat.

Në daljen e fundit të Komitetit Teknik të Ekspertëve për menaxhimin e pandemisë u theksua se masat anticovid do të monitoroheshin nga inspektorët e shëndetit publik. Por nga një vëzhgim i gazetës “SI”, patrullat e inspektorëve nuk duken askund. Madje as në qendrat tregtare, ndryshe nga fillimi i pandemisë ku kërkohej rreptësisht mbajtja e maskës që në hyrje, tanimë duket se të gjithë bëjnë sikur nuk shohin.

Gjithçka i është lënë ndërgjegjes së qytetarëve të cilët në këtë pikë kanë treguar një shpërfillje gati totale të këshillave të ekspertëve.

Akoma më keq duket situata në urbane ku ata që mbajnë maskat numërohen me gishtat e dorës, madje të shohin çuditshëm nëse mban maskë.

Po përse kjo shpërfillje me masat anticovid?

Ekspertët e shëndetit publik shprehen të çuditur sesi shoqëria jonë ndryshe nga çfarë ndodh në vendet fqinje dhe më gjerë, po tregon mungesë civilizimi dhe edukimi kur bëhet fjalë për një situatë pandemie.

Por nga ana tjetër, ata fajësojnë dhe strukturat përgjegjëse të cilët nuk monitorojnë vendimet që marrin.

“Duke nisur që nga orari i qarkullimit ku shihet që baret dhe lokalet janë të tejmbushur, kur nuk kërkohet green pass, kur nuk mbahen maskat në ambiente të mbyllura, kur nuk ka ndërgjegjësim për tu vaksinuar me dy doza, jo më me dozë përforcuese, të gjitha këto të bëjnë të dyshosh se vetë institucionet po e shpërfillin situatën’, thonë burimet për gazetën “SI”.

Sikur të mos mjaftonte kjo situatë, mbyllja e shkollave për 3 ditë me radhë me arsyen e uljes së temperaturave dhe jo asaj që të gjithë e dinë, të numrit të lartë të infektimeve mësues e nxënës, kanë ngjallur pakënaqësi në rrethet e prindërve që e shohin situatën problematike në shkolla.

“Kur masat nuk respektohen në shkolla, kur mësuesit nuk mbajnë maska dhe fëmijët na sjellin virusin në shtëpi, çfarë duhet  të kërkojnë nga ne”, thotë një prind.

Të pyetur nga gazeta “Si”, specialistët e shëndetit publik thonë se mbyllja e shkollave për më shumë se 3 ditë që ka lajmëruar ministria e Arsimit, do të ishte e arsyeshme kur po i afrohemi pikut të paralajmëruar të valës së katërt si pasojë e Omicron, sic është  java e fundit e muajit janar.

“Ne theksojmë se respektimi I masave anticovid në fuqi dhe mbyllja për të paktën një javë e shkollave do të frenonte pak rritjen e infektimeve, por gjithsesi qarkullimi intensiv i Omicron duket I pandalshëm si pasojë e transmetimit të lartë”, thonë ekspertët e shëndetit publik.

Foto arkiv ,shkurt 2021: Oficere policie duke i vendosur gjobe nje qytetari per mosmbajtjen e maskes, ne Tirane, pas hyrjes ne fuqi te vendimit per mbajtjen e detyrueshme te maskes nga te gjithe ne cdo mjedis te hapur apo te mbyllur, per te frenuar perhapjen e pandemise se koronavirusit, COVID-19.

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë