Irena Beqiraj

A ka dritë në fund të tunelit?


Për një investitor sot nëntë fjalët që mbartin më shumë risk, janë “unë përfaqësoj kompaninë shtetërore dhe kërkoj financim nga ju”. Për investitorët institucionalë, të cilët kanë financuar kompanitë shtetërore ndër vite, e vetmja fije drite, e cila ka ndriçuar tunelin e errët të performancës së kompanive shtetërore, ka qenë garancia sovrane ose ndryshe mbështetja buxhetore.
Për të shkuar më tej, ka një erozion të besimit te kompanitë shtetërore ekzistuese dhe ato që krijohen rishtazi. Çdo fjalë që pasohet nga fjala “shtetërore”, perceptohet në publik si rast keqmenaxhimi i pronës apo fondeve publike. Një perceptim fatkeqësisht i merituar që lidhet me qeverisjen e dobët korporative.
Qeverisja e mirë korporative dhe qeverisja e mirë publike janë gjethe të të njëjtës pemë: të dyja kërkojnë sjellje të përgjegjshme, integritet, transparencë dhe llogaridhënie.
Por, sipas raportit të FMN, Kompanitë Shtetërore (KSH) në Shqipëri kanë një qeverisje korporative dhe performancë financiare shumë të dobët dhe përbëjnë një rrezik të madh fiskal për buxhetin e shtetit. Afërsisht, 80% e KSH kanë humbje të akumuluara, ndër të cilat kompanitë në sektorin e energjisë dhe atë të ujit vazhdojnë të marrin mbështetje buxhetore, në mënyrë direkte apo indirekte. Vetëm për 3 kompanitë e sektorit energjetik ngarkesa fiskale në buxhetin e shtetit është rreth 43 miliardë lekë. Gjithashtu, të ardhurat që merren prej tyre janë vetëm 0.08% e Prodhimit Kombëtar Bruto.
Edhe pse në shumë aspekte, KSH-të përballen me mundësi dhe kërcënime të ngjashme me sektorin privat, ato kanë disa dallime të rëndësishme. Në veçanti, KSH-të duhet të përmbushin qëllime, misione apo objektiva të ndryshme dhe ndonjëherë kontradiktore me njëra-tjetrën.
Shpesh KSH-të duhet të ofrojnë shërbime publike me çmime të ulëta pavarësisht kostove të ofrimit të tyre. P.sh., Korporata Energjetike Shqiptare, me vendim të aksionerit, Ministrisë së Energjisë i shiti OSHEE-së energji për përballimin e humbjeve me 1.5 lekë KWH, ndërkohë që kostoja e ofrimit të 1 KWH ishte rreth 2.3 lekë. Përderisa, KSH-të shërbejnë për qëllime të shumëfishta publike dhe tregtare, kjo mund të ndikojë negativisht në performancën e tyre. Në mungesë të transparencës, qëllimet publike janë përdorur si “mbulesë” për performancën e dobët, duke ndikuar më shumë sesa duhet në buxhetin e shtetit.
Qeveritë deri tani i kanë parë KSH-të të pandara nga politika. Ato kanë bërë politikë dhe kanë politizuar çdo qelizë të KSH-ve. Thuajse nuk ekziston asnjë kufi ndarës midis politikave publike dhe tregut, si dhe nuk ka asnjë distancim të politikës nga menaxhimi i KSH-ve.
Për qeverinë quhet ‘politikë’ çdo gjë që lidhet me detyrat e saj publike. Këto detyra qeveria presupozohet t’i kryejë nëpërmjet ligjeve, rregulloreve, buxhetit të shtetit dhe më pak nëpërmjet statusit të aksionerit, të një kompanie shtetërore. Sot KSH-të përballen me qëllimet tregtare, duke u përpjekur gjithashtu të përmbushin objektivat jotregtare, të cilat kërkojnë kompromise në aspektin e performancës financiare afatshkurtër dhe afatgjatë. Ciklet politike, mandatet e shkurtra të drejtuesve kryesorë të KSH-ve, edhe brenda një mandati, si dhe kufizimet buxhetore, gjithashtu kontribuojnë paqartësinë e kufirit se ku mbaron politika dhe ku fillon filozofia e tregut. Kjo situatë ka përkeqësuar vazhdimësinë dhe performancën, por ka shërbyer si një “justifikim” për rezultatet e dobëta, të cilat direkt ose indirekt kanë ndikuar/do të ndikojnë në buxhetin e shtetit.

Mund të ndriçohet tuneli i errët i KSH-ve, nëse përcaktohen qartë kufijtë ndarës, ku përfundojnë politikat publike të ofruara nëpërmjet KSH-ve dhe që duhen mbështetur nga buxheti i shtetit dhe ku fillon zbatimi i rregullave të tregut, nga ku rrjedh dhe matet performanca e KSH-ve.
Elementi i dytë lidhet me distancën e politikës nga menaxhimi i KSH-ve. Keqmenaxhimi dhe performanca e dobët e KSH-ve në 27 vitet e fundit lidhet pazgjidhshmërisht me afërsinë që këto të fundit kanë pasur me politikën. Ndërkohë që politikanët kanë provuar katërçipërisht në 28 vjet që janë shumë të zënë për t'u shqetësuar me veprimtaritë e KSH-ve, kështu që ato kanë qenë gjithmonë një çështje periferike në ditën e punës së tyre. Politikanët nuk kanë njohuritë e nevojshme për të gjykuar në lidhje me çështjet e menaxhimit të KSH-ve si biznese të mirëfillta. Politikanët kanë prirje të gjykojnë dhe të marrin vendime parë nga këndvështrimi politik, duke minuar aspektin tregtar të kompanive shtetërore.
Përfaqësimi i aksionerit nga ministrat është shoqëruar me ndërhyrje partiake-politike, gjë që e ka vendosur integritetin e kompanive shtetërorë në rrezik. Si rezultat, partitë politike në mënyrë indirekte kanë ushtruar ndikim mbi vendimet e rëndësishme brenda një kompanie shtetërore, duke përfshirë: emërimet, rekrutimi i stafit, proceset e tenderimit, etj.
Ministri, si përfaqësues i aksionerit, emëron, shkarkon në bazë të statusit, pa asnjë procedurë përzgjedhjeje drejtuesit e lartë të KSH, siç janë anëtarët e Bordit Drejtues dhe drejtorët ekzekutivë. E thënë troç, sot kemi kompani shtetërore thuajse të dështuara, sepse Bordet Drejtuese bashkë me drejtorët ekzekutivë vazhdojnë të jenë veçse “Klubet e fansave të ministrave”, si të tillë jo vetëm që nuk sillnin asnjë vlerë të shtuar për kompanitë, por plotësojnë tekat politike apo edhe personale të atyre që mund t’i vendosin edhe t’i heqin me një të rënë të lapsit. Të gjithë harrojmë që cilësia e Bordit Drejtues është sot një faktor i rëndësishëm i vlerësimit nga të gjithë investitorët institucionalë.
Për të hedhur më shumë dritë në tunelin e errët të kompanive shtetërore duhet të sjellim domosdoshmërisht më shumë profesionalizëm në menaxhimin e tyre, duke përcaktuar kushte profesionale dhe procedura të qarta përzgjedhjeje për emërimin apo shkarkimin nga detyra të drejtuesve të KSH.
Është e thjeshtë të dallosh të mirën, është e vështirë ta zbatosh atë. Në fund të tunelit do të ketë dritë, nëse respektohen katër virtytet e panegociueshme për “qeverisjen e mirë”: kujdesi, integriteti, vetëkontrolli dhe transparenca. Njerëzimi, ditët më të hershme të qeverisjes së mirë, i ka jetuar herët që me Platonin, i cili këshillonte: “qeverisni veten, vendosni kufizime mbi veten dhe bëni gjithçka që është e nevojshme për të shmangur tundimin”. Jemi vonë, por më mirë vonë se kurrë!


Copyright © Gazeta “Si”