Editorial

A jemi gati për koronavirusin?

Përhapja e koronavirusit, i cili shpërtheu në fillim të dhjetorit  në qytetin kinez Wuhan, të paktën deri të mërkurën në mbrëmje , sipas të dhënave zyrtare ka prekur më shumë se 6,000 njerëz në të paktën 15 vende dhe  ka marr të paktën 130 jetë, në të gjithë në Kinën. Ekspertët nuk e dinë ende se sa ngjitës, apo sa vdekjeprurës, është ky virus i ri. Por kriza në rritje ka frymëzuar panik. Qytetet në të gjithë botën janë nën trysninë e një vale të mundshme infeksionesh. Çmimet e aksioneve dhe naftës tregjet ndërkombëtare po bien. Dhe ekspertët në pothuajse çdo industri janë të shqetësuar se shumë zinxhirë të furnizimit mund të këputen  nëse shpërthimi I virusit  sjell një epidemi edhe më të gjerë.

Mediet në përgjithësi dhe  personalitetet të njohura të fushës, janë të çuditur se si ka mundësi që duke pasur parasysh këtë përhapje dhe rritje të ankthit, nuk po bëhen shumë përpjekje  për t'u përgatitur për një shpërthim si ky.  Në editorialin e fundit , bordi i gazetës ” New York Times” shkruan se  Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve kanë paralajmëruar prej kohësh se shkalla me të cilën shfaqen patogjenë të rinj po rritet (pjesërisht si rezultat i ngrohjes globale). Viruse të reja po identifikohen çdo vit, dhe shpërthimet e sëmundjeve - veçanërisht ato që përfshijnë viruse që kërcejnë nga kafshët te njerëzit, siç bëri koronavirusi - nuk janë aspak befasuese.

Kina, qendra e shpërthimit të tanishëm, duket se ka zënë mend të paktën disa mësime nga kriza e fundit e tillë me të cilën u përball. Në 2002, kur SARS u shfaq për herë të parë, udhëheqësit e vendit pritën afro tre muaj para se të njoftonin Organizatën Botërore të Shëndetit. Deri atëherë, virusi ishte në rrugën e tij për të arritur në më shumë se një duzinë vende. (SARS është shkaktuar gjithashtu nga një koronavirus, variantet e të cilit janë mjaft të zakonshme në të gjithë botën, por rrallë prekin njerëzit. Kur ata ndodhin, ato zakonisht shkaktojnë infeksione të sipërme të frymëmarrjes.)

Zyrtarët kinezë duket se kanë lëvizur shumë më shpejt këtë herë. Ata paralajmëruan OBSH brenda një muaji nga zbulimi i rasteve të para të koronavirusit dhe lëvizën shpejt të kufizuar përhapjen e tij : Rreth 56 milion njerëz, përfshirë gjithë qytetin e Wuhan, janë vendosur nën karantinë.

Por ekspertët global të shëndetit thonë se mbi të gjitha, përgjigjia e vendit mbetet ende shumë për të dëshiruar. Zyrtarët duket se kanë mbajtur informacione të rëndësishme – që tregojnë se po përhapet midis njerëzve dhe se rastet nuk kufizoheshin vetëm  tek të moshuarit, ose tek njerëzit që vizituan tregun që besohet të ishin në epiqendrën e shpërthimit. Ata gjithashtu kanë kundërshtuar ofertat fillestare të ndihmës dhe nuk arritën të ndajnë mostrat e virusit me komunitetin shkencor.

Ekspertët globalë të shëndetësisë tashmë po paralajmërojnë vendet e tjera që të përgatiten për dështimin e përpjekjeve të Kinës për të mbajtur kontrollin. Një pjesë e problemit është se një karantinë e kësaj madhësie është në thelb e vështirë për t'u mbajtur. Një çështje tjetër madhore është mungesa e besimit të publikut: Masat e kontrollit funksionojnë vetëm nëse njerëzit i ndjekin me rigorozitet ato. Por njerëzit, thotë Bordi i gazetës NYT, kanë shumë më pak të ngjarë të ndjekin urdhrat kur nuk besojnë se pas këtyre urdhrave qëndrojnë qëllimet mira, por janë qëllime për interesa të tjera. P.sh në Wuhan dhe gjetkë në Kinë, besimi te zyrtarët po bie, pasi disa qytetarë dyshojnë se qeveria është më e shqetësuar për të përmirësuar imazhin e saj tek mediet sesa për të mposhtur virusin.

Në fakt, besimi mund të dëshmojë të paktën po aq i rëndësishëm sa teknologjia dhe burimet financiare që duhen  për të mbajtur nën kontroll shpërthimin e koronavirusit . Ky është një mësim që  punonjësit e shëndetit nga e gjithë bota  e morën gjatë shpërthimeve të fundit të Ebolës në Republikën Demokratike të Kongos.

Gazeta duke pasur parasysh këto fakte tërheq vëmendjen se edhe zyrtarët e tyre në SHBA duhet ta mbajnë në mend këtë mësim të vlefshëm. Presidenti Trump tha pasi rasti i parë i koronavirusit u konfirmua në Shtetet e Bashkuara se shpërthimi është "plotësisht nën kontroll".

Njësoj si në SHBA  edhe në Shqipëri, një shtet më i vogël, më i dobët, me më pak mundësi dhe shumë korrupsion  u tha shpejt e shpejt se çdo gjë është nën kontroll por fare pak me prova. Po a duhet ta besojmë ne këtë?

“New York Times” thotë se ka pak besim sepse administrata e zotit Trump ka bërë gabime me institucionet që mbikëqyrin dhe zbulojnë nëse ka kërcënime virale duke i mbyllur ose duke iu shkurtuar buxhetet.

Po në Shqipëri gabimet a nuk janë më të mëdha? Ne nuk kemi mundësi për kapacitete intelektuale dhe infrastrukturore aq të mëdha e të sofistikuar. Por  ama mbështetja financiare, njerëzit e kualifikuar, një program emergjence efektit nuk duhet ti mungojnë as Shqipërisë . Por ku jemi sot? Mbështetja financiare për sistemin shëndetësor e ca më shumë  për atë  parandalues e kërkimor -shkencor nuk ka ndryshuar prej vitesh duke mbetur në nivel të ulët në raport me prodhimin e përgjithshëm kombëtar . Madje gjatë dy viteve të ardhshme do të jetë më pak se vit i kaluar, nën 3 për qind të PPB-së Nga ana tjetër stafet mjekësore apo akademike nuk janë rigjeneruar e madje janë me problem me njohuritë e tyre . Kujtojmë se prej disa vitesh shkolla për specializimin e mjekut ishte mbyllur. Shumë mjek e infermier për të cilët është  investuar po emigrojnë. Në sondazhet e herë pas hershme në Shqipëri më  pak se 30 për qind e t intervistuara kanë besim tek sistemi shëndetësor. Shumica e shqiptare besojnë se  kujdesi shëndetësor është i dobët dhe janë është një nga arsyet  që i largohen vendit.  Pra a kemi ne institucione dhe një sistem të besueshëm në këtë rast. Publiku  ashtu edhe si në SHBA mbetet dyshues. Por çfarë ndodh nëse   njerëzit ndalojnë besimin në institucionet që synojnë t'i mbrojnë ata nga fatkeqësitë natyrore, produktet mjekësore të gabuara ose nga shpërthimet e sëmundjeve?-shtron pyetjen gazeta e cila është  mesa duket e vlefshme edhe për në shqiptarët.

Një mësim të fundit  e morëm nga tërmeti që kur ndodhi në Shtator thamë se është punë e natyrës por në Nëntor ku humbën jetën 51 qytetarë rikujtuam se na mungonte edhe shteti.   

Ndaj përpara se agjencitë qeveritare të ofrojnë garanci duhet të japin besim.  Gazeta arrin në përfundim mjaft vlefshëm edhe për ne: Shtetet e Bashkuara dhe bota tjetër do të bëjnë mirë të mësojnë nga përvoja. Nuk do të jetë hera e fundit që do përballemi me një krizë të tillë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë